33 vite. Kaq i janë dashur Napolit për t’u shpallur kampion i Italisë për herë të tretë në historinë e vet. Një sukses i jashtëzakonshëm, që mungonte që prej kohës së legjendarit Diego Armando Maradona. Napoli i tij ishte krejt gjë tjetër, bëri histori duke bërë për vete Italinë dhe Europën falë dy titujve kampion dhe suksesit kontinental, por skuadra e këtij viti ka meritën që nuk e la “jetim” lavdinë e 3 dekadave më parë.

Skuadrës së Spaletit i mjaftoi një barazim 1 me 1 në Friuli kundër Udineses në duelin e javës së 33 për të nisur festën e çmendur, e cila përveç atmosferës së bukur që dhuruan 11 mijë tifozë që kishin udhëtuar në këtë transfertë, e pa qytetin qindra kilometra larg të zbrazej i gjithi në rrugë për të festuar si të çmendur një sukses të merituar nga fillimi në fund.

 

Sa për kronikë, Udinese kaloi e para në avantazh me anë të Lovrik në fillim të takimit, ndërkohë që golin për titull të Napolit e shënoi Bomber Viktor Osimhen.

 

Ai në fakt bashkë me zbulimin e madh të sezonit, gjeorgjiani Kvarashkelia ishin qershia mbi tortë e super sezonit të jugorëve, një orkestër që funksionoi në perfeksion me të gjitha veglat e saj, duke nisur nga porta, mbrojtja solide ku spikatën shqiptari nga Kosova, Amir Rrahmani dhe koreano jugori Kim, mesfusha me motorin Lobotka , një gjigand si Angisa, apo një futbollist polivalent si Zielinski.

Spaleti për të cilin ky është titulli i parë si trajner në karrierë, pati meritën se ndërtoi një ekip jo më 11 por me 18 apo më shumë lojtarë, të cilët ishin efikas në të gjithë kampionatin, kur deri tani të besuarit e tij kanë marrë 25 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 humbje.

 

Di Lorenco është më fat që si kapiten do të ngrejë lart titullin kampion në serinë A, një nga kampionatët më të forta të botës, ndërsa De Laurentis, presidenti i Napolit, më në fund mund të krenohet para Napolit dhe mbarë Italisë për një titull kampion të fituar kundrejt superfuqive të futbollit italian si Juventus, Milan dhe Inter.

 

Madje nëse ka një faktor shtesë që çoi Napolin drejt suksesit, ishte pikërisht dobësia e të mëdhenjve, ndonëse fituesi nuk gjykohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *