Myslimanet festojnë Kurban Bajramin, mijëra besimtarë falin namazin në Bulevardin Qendror të Tiranës
Besimtarët myslimanë kanë festuar Kurban Bajramin. Dita e sakrificës dhe durimit ka nisur me faljen e madhe të namazit, e cila këtë vit nuk u zhvillua në Sheshin Skënderbej por në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ceremonia e faljes nisi në orën 6:15 dhe më pas besimtarët u shpërndanë për të kryer ritet e tjera të kësaj feste.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, iu drejtua besimtarëve me një urim për festën e Kurban Bajramit, ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe ndihmës për ata që janë në nevojë. Ai gjithashtu dha edhe një mesazh për luftën në Gaza.
“Sot kremtojmë festën e Kurban Bajramit, një ditë që i bashkon zemrat tona në adhurim, në mirënjohje dhe solidaritet. Feja jonë islame na mëson se besimi nuk është i plotë pa ndjeshmëri sociale dhe shoqëria jonë nuk do të jetë kurrë e drejtë nëse në themelet e saj nuk qëndrojnë vlerat hyjnore, mëshira, drejtësia, bujaria dhe ndershmëria. Të duam njëri-tjetrin për hir të zotit, le ta ndajmë sofrën tonë por edhe buzëqeshjen, të shkojmë tek të vetmuarit, të moshuarit që nuk kanë mundësi për të festuar. Le ti lutemi zotit për Gazën, për jetët e prera në mes dhe gjendjen e rëndë që po kalojnë ata”, tha kreu i KMSH.
Besimtarët myslimanë përcollën urimin për më shumë mbarësi në familje në këtë ditë të shenjtë të Kurban Bajramit.
“Uroj gjithë besimtarët t’ja kalojnë sa më bukur, sa më mirë, bëjmë një kurban, therim një mish dhe e shpërndajmë.”
“Mbarësi dhe gëzim në familjet e tyre dhe paqe në botë.”
“Gëzuar Kurban Bajramin, qoftë një vit i mbarë, kjo ditë simbolizon ditën e sakrificës për të gjithë njerëzit.”
Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, një kohë e shenjtë për adhurim, falënderim dhe solidaritet.
Gjatë kësaj dite besimtarët falin namazin e Bajramit në mëngjes dhe bëjnë kurban, zakonisht një dele, lopë apo dash.
Mishi i kurbanit shpërndahet një pjesë për familjen, një për të afërmit dhe një për të varfrit. Festa shoqërohet gjithashtu me vizita familjare dhe ndihmë ndaj njerëzve në nevojë./vizionplus.tv




