Partia Bindja Demokratike dhe partia e drejtuar nga Myslim Murrizi janë përballur sot në Gjykatën Kushtetuese me Parlamentin duke kërkuar hapjen e plotë të listës së kandidatëve për deputet.

 

Myslim Murrizi i cili ka qenë një prej zërave më të fortë pro hapjes 100 % të listës ka deklaruar se qytetarët meritojnë të zgjedhin deputetët që do t’i përfaqësojnë në parlament.

 

MYSLYM MURRIZI

KRYETAR I LEVIZJES DEMOKRATIKE

 “17 nga 59 deputetë të PS dhe 9 nga PD nuk do ishin në lista nëse listat do ishin 100% të hapura. Interesi im është për qytetarin jo për subjektin tim politik se ndoshta unë nuk kandidoj më në zgjedhjet e ardhshme. Kërkesa ime është të shfuqizohet neni 163 i kodit zgjedhor, si antikushtetues.”

 

Por gjatë seancës plenare, përfaqësuesi ligjor i Kuvendit ka vënë në dukje se Kushtetuta ia lë Kodit Zgjedhor detajimin e listës së hapur. Kuvendi ka theksuar se as OSBE/ODIHR nuk ka gjetur parregullsi tek parashikimet e Kodit Zgjedhor.

 

Debati për hapjen e listës së kandidatëve për deputet nisi vitin e kaluar pas ndryshimit të kushtetutës. Deputetët e opozitës bashkuan votat me socialistët duke sanksionuar në ligjin themeltar të shtetit  se jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore duhet t’i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

 

Ky nen i Kushtetutës në kodin elektoral u përkthye duke vendosur konceptin e herësit. Çdo qytetar ka të drejtë të votojë secilin kandidat për deputet; por renditja e hartuar nga partia mund të thyhet vetëm nëse ai fiton më shumë se 10 mijë vota. Në zgjedhjet e 25 prillit vetëm 3 deputetë e thyen renditjen e partisë; Fatmir Xhafaj  e Orlando Rakipi nga Partia Socialiste dhe Luciano Boçi nga Partia Demokratike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *