Muharremi: Sjelljet vandale janë të papranueshme, studentët kanë të drejtë për qiratë

Prej pesë ditësh, Tirana është kthyer në një arenë përplasjesh mes policisë dhe protestuesve. Lidhur me këtë situatë, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, foli në studion e edicionit informativ të orës 19:00, të moderuar nga Roland Zili në Vizion Plus.
Muharremi tha se dhuna dhe sjellja vandale ndaj policisë janë të papranueshme. Sipas tij, studentët kanë të drejtë të protestojnë, sidomos për çështjen e qirave të larta, duke shtuar se qeverisja socialiste është në krah të tyre dhe po punon për gjetjen e zgjidhjeve.
Pjesë nga biseda:
Muharremi: Sjelljet vandale janë të papranueshme. Njerëz që kanë molotovë, fishekzjarre, mjete që dëmtojnë organet e policisë.
Zili: Të rinjtë, kur janë pyetur për këtë gjë, kanë thënë se qeveria kupton me të njëjtën gjuhë, pasi paqësisht nuk kupton.
Muharremi: Në raport me studentët, qeverisja, që nga viti 2013, filloi të ndërtojë çerdhe e kopshte.
Zili: Është detyrë e çdo qeverie t’i bëjë këto.
Muharremi: Prandaj ka një mandat të katërt, për të përfunduar këtë proces progresi dhe për t’u bërë shtet i BE-së. Pra, nuk vjen asgjë nga hiçi. E filluam me çerdhe e kopshte për fëmijët, e filluam me kampuset universitare, e filluam me përmirësimin e kushteve të konvikteve. Duhet të kuptojmë se sot nuk ka asnjë qeveri që i ka dëgjuar të rinjtë më shumë se qeverisja e PS-së. Sot, më shumë se 45% e të rinjve kanë filluar trajnimin në administratën publike.
Zili: Në vitin 2018 patëm protestën e studentëve. Nga viti 2018 deri më sot, kërkesat e tyre kanë pasur kohën e nevojshme për t’u adresuar 100%.
Muharremi: Unë them vetëm fakte. Nga Pakti i Studentëve i vitit 2018, 12 mijë studentë që vijnë nga grupet e margjinalizuara nuk paguajnë, studentët ekselentë marrin shpërblim prej 10 mijë lekësh të reja, pati përmirësim të kushteve studentore, ndryshim të kampuseve universitare dhe u futën mjetet më të rëndësishme për praktikat.
Zili: Pse nuk mjaftoi?
Muharremi: Studentët sot kërkojnë standarde të larta. Një nga problemet më të mëdha është strehimi dhe këtu ata kanë të drejtë. Një nga nismat e qeverisë është që në nëntor të ketë 2 mijë kuota vetëm për studentët, për të marrë shtëpi me qira. Ke sot subvencionimin e qirasë, i cili do të jetë pa limit. Sot shteti të mbulon 50% të vlerës së qirasë, ndërsa gjysmën tjetër e paguan me një punë me kohë të pjesshme. Nga viti 2018, falë Departamentit të Administratës Publike, ke mbi 16 mijë studentë që sapo kanë mbaruar studimet dhe sot janë pjesë e administratës.
Zili: Por po aq, mos më shumë, janë larguar nga Shqipëria.
Muharremi: Kur unë isha student, merrja vetëm 3 mijë lekë të reja asistencë. Nuk merrja as subvencion qiraje nga ajo qeverisje kriminale dhe isha i detyruar të punoja nga 12 deri në 16 orë. Sot flasim për standarde që studentët kërkojnë të jenë si ato të BE-së. Këto janë nisma që përmirësojnë kushtet e studentëve. Unë sot jam socialist, nuk jam pjesë e Administratës Publike. Kush ka qeveri në botë si kjo qeveri, që do ta ndryshojë këtë realitet nga A-ja te Zh-ja? Një qeveri që të zbatojë reformat e saj ka nevojë për një buxhet të fortë. Për të pasur një buxhet të fortë, kërkohet fuqizimi i këtij vizioni, pas plagëve të mëdha sociale të demokracisë, kur ne shkatërruam çdo aset.
Zili: Këtij brezi nuk i intereson kjo gjë?
Muharremi: Por duhet ta dinë.
Zili: Të rinjtë nuk duan të dinë çfarë është shkatërruar…




