Muharremi: PS nuk bëhet mburojë e askujt, sot sistemi lufton korrupsionin

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, i ftuar në studion e edicionit informativ të orës 19:00 në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, ka komentuar situatën aktuale dhe zhvillimet politike në Shqipëri.
Muharremi tha se sot studentët po protestojnë për standarde më të larta. Sipas tij, qeverisja socialiste ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër për studentët.
I pyetur nga moderatori Zili se, megjithatë, studentët protestojnë edhe kundër korrupsionit, Muharremi tha se për herë të parë në Shqipëri korrupsioni po luftohet nga vetë sistemi.
Ai tha se PS-ja ka treguar se nuk është bërë mburojë e asnjë zyrtari të korruptuar.
Pjesë nga biseda:
Muharremi: Partia Socialiste, që ka 850 mijë votues, një nga kërkesat e tyre ka qenë reforma në drejtësi, për të pastruar llumin. Kërkojnë të ketë luftë ndaj pandëshkueshmërisë.
Zili: Asnjë nga ne nuk pajtohet me korrupsionin.
Muharremi: Ne nuk bëhemi mburojë për askënd.
Zili: Po pse atëherë njerëzit thonë se kjo nuk mjafton? Çfarë duhet të bëjë ndryshe PS-ja?
Muharremi: Sepse vazhdimësia kërkon qëndrueshmëri, një progres që nuk duhet të ndalet. Progresi i reformave të ndryshme duhet të matet në kohë. Nuk zgjidhet gjithçka me shkopin magjik. Ne duhet të krijojmë një demokraci të shëndoshë, të krijojmë një buxhet të mirëekuilibruar dhe të jemi liderë në shfrytëzimin e aseteve tona. Së treti, duhet të zbatojmë reformat që shkojnë në interes të qytetarëve.




