“Shqipëria një hap drejt BE-së”, deklaroi kryeministri Edi Rama dy ditë më parë pas takimit ndërqeveritar në Bruksel.
Por për deputetin e Lëvizja Bashkë, Redi Muçi, integrimi i Shqipërisë në Bashkimi Evropian mund të jetë “thikë me dy presa” për qytetarët, nëse nuk realizohen më parë reformat.
I ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, Muçi tha se, sikur Shqipëria të anëtarësohet në BE pa u realizuar më parë reformat që kërkohen, atëherë Shqipëria do të kthehej si Hungaria nën pushtetin e Viktor Orbán.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Deklarata e ambasadës gjermane dhe asaj holandeze na kthyen me këmbë në tokë.
Muçi: Janë kthyer raportet e ndërkombëtarëve si librat e shenjtë, dhe shpesh zgjidhen fjali që i interesojnë njërës apo tjetrës palë. Raportet janë të qarta për të evidentuar pritshmëritë.”
Borakaj: Edhe zv.kryeministrja tha se është çështje interpretimi.
Muçi: Dua të shtroj një pyetje: a e kuptojnë shqiptarët se çfarë do të thotë të integrohemi në BE? Një nga gjërat që ndodh është që influenca e ambasadave nuk është më. Që në momentin që do të jemi anëtarë të BE-së, do të jemi të barabartë me të tjerët. Dua të shtroj një çikë për të menduar edhe skenarin që ne integrohemi në BE, por asnjë nga reformat nuk realizohet.
Borakaj: Po çfarë, mbyllin sytë ata për të na integruar?
Muçi: Po. Sepse në shumë raste është edhe frika që në vendet e Ballkanit mund të marrin pushtetin ekstremistët. Pra duhet marrë në konsideratë sikur asnjë nga reformat mos të arrihet. Pra sikur asnjëra prej këtyre mos zgjidhet, pasi të kemi hyrë, do të jetë shumë vonë. Rama do të shpalosë madhështinë e tij për hyrjen në BE. Do të kemi probleme me integrimin. Pra, nëse nuk realizojmë reformat, do të ndiqet modeli i Hungarisë nën Orbán, ku ato fondet që vinin nga BE kanalizoheshin përmes tij te miqtë e tij oligarkë.





