E premte, 16 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Motra e vëllezër, durim….”, Rama: Nuk përkulemi para dhunës, kjo është e njëjta dorë që ka kapur për fyti opozitën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër për protestat në Tiranë, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të penguar përparimin e vendit. Sipas tij, dhuna dhe përplasjet në rrugë nuk kanë lidhje me shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë një jetë më të mirë.

Rama deklaroi se personat e maskuar që përplasen me policinë dhe shkatërrojnë pronën nuk përfaqësojnë studentët. Ai ngriti shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protesta, duke dënuar përdorimin e tyre në akte dhune.

Reklamë

Kreu i qeverisë pretendoi gjithashtu se pas trazirave qëndrojnë interesa të tjera, përfshirë, sipas tij, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë dhe në rrugën drejt integrimit europian.

Duke iu referuar procesit të integrimit në Bashkimin Europian, Rama tha se shpërthimi i tensioneve në këtë moment nuk është rastësi, por një sprovë për vendin. Ai theksoi se Shqipëria nuk duhet të tërhiqet përballë dhunës, pasi, sipas tij, kjo do të rrezikonte përparimin e arritur.

Reklamë

Në përfundim, kryeministri pranoi se studentët dhe sipërmarrësit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë dhe se problemet e tyre duhet të adresohen. Ai u bëri thirrje qytetarëve për durim, duke shprehur bindjen se situata do të kalojë dhe vendi do të dalë më i fortë nga kjo periudhë.

Rama: E gjithë kjo pengmarrje e qytetit në maska nuk ka të bëjë me hallet e problemet e dikujt që do një jetë më mirë. E gjithë kjo është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare që ka djegur Shqipërinë dhe është gati ta djegë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara nga urrejtja më e verbër. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore, nuk kanë të bëjnë me ju. Si mund të nxirren të miturit në rrugë, të vënë maska, të shkulin trotuaret dhe qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve si një lukuni e verbër për axhendë të tjetërkujt?

Sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që s’e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt dhe të ecë përpara, që nuk e duan pjesë të familjes së bashkuar europiane, aty ku do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe zgjedha e zgjedhës së detyruar.

Nuk e duan Shqipërinë të lirë. Ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër  dritë jeshile, afrohet më shumë drejt objektivit historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi. E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese që na është vënë përpara. Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën, të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë.

E kemi sjellë Shqipërinë e Tiranën deri këtu, këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse. Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Kjo do të thotë ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës dhe s’ka arritur asgjëkund. Motra e vëllezër, durim se kjo do të kalojë dhe do të dalim më të fortë dhe të vetëdijshëm.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.