Subscribe

Moti i keq i dy ditëve të fundit që ka përfshirë vendin tonë ka sjellë edhe reagimin e ministrisë së Mbrojtjes.  MM ju ka dërguar letër 12 prefektëve për marrjen e masave parandaluese për situatën e pritshme emergjente që mund të krijohet nga reshjet dhe ngricat, nga data 03 janar 2019, dhe në vazhdim.

 

Në letrën e saj MM, ka kërkuar nga të gjithë prefektët e qarqeve, por edhe drejtuesit e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore në nivel rajonal dhe vendore, për marrjen e masave urgjente sipas fushave të përgjegjësisë, për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.

 

Ministria e Mbrojtjes përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile u ka kërkuar prefektëve të komunikojnë me subjektet kontraktore që këto të venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike, të grumbullojnë sasi të mjaftueshme kripe, etj, për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga dëbora, eliminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien në rrugë, etj.

 

Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar prefektëve të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit, ARRSH, OSHEE, për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore, veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla dhe anasjelltas, si dhe të punohet për eliminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike të komunitetit, objekteve social-kulturore, spitaleve, etj, për të përballuar sa më mirë situatën që mund të krijohet nga reshjet, ngricat, etj.

 

Gjithashtu MM dhe Forcat e Armatosura kanë marrë masat dhe janë në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë që pritet të krijohet nga reshjet e borës dhe ngricat që pritet të përfshijnë vendin tonë në ditët në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *