Subscribe

Rritjen e buxhetit të shëndetësisë për vitin 2021, kryeministri Edi Rama e konsideroi më të lartën gjatë këtyre 30 viteve në këtë sektor.

Ndërsa bëri edhe një krahasim me spitalet e disa viteve më parë, kreu i qeverisë tha në seancën e sotme parlamentare se qendrat shëndetësore sot kanë kapacitete spitalore bashkëkohore dhe se pacientët nuk përballen me mungesa.

“Masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit të ardhshëm. Qytetarët që preken nga virusi COVID-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë me ndihmë ekonomike. Së pari rritja e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2021 është rritja më e lartë në të gjitha këto 30 vjet për shëndetësinë në një buxhet të shtetit. Plus 23.3 %, një rritje e pandodhur më parë që siç e thashë lidhet me masat e reja që do të qëndrojnë aty qoftë edhe me fuqizimin e vijës mbrojtëse për të dalë kryelartë nga kjo luftë. Shqipëria nuk ka asgjë mangët nga gjërat e tjera. Sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet kur ne morëm detyrën. Ishim në spitalin e Vlorës në sallën e re të reanimacionit, dallimi mes çka kemi sot dhe çka kishim dje ishte realisht dallimi i ditës me natën dhe i tillë është edhe në QSUT dhe në spitalet e tjera rajonale. Në spitalin e Vlorës në 2014 kishte vetëm 2 aparatura të vjetra të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Sot linjat e oksigjenit, aparaturat që suportojnë trajtimin e pacientëve me oksigjen janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID”, deklaroi Rama.

Kryeministri përsërit këshillën e tij ndaj qytetarvë që dyshojnë se janë të prekur me COVID që t’i drejtohen fillimisht mjekut të familjes.

“Duhet t’i referohemi besnikërisht mjekut të familjes dhe këshillave që marrim nga Urgjenca Kombëtare. Mos merrni ilaçe dhe mos shpenzoni nga buxheti i familjeve, për të bërë largqoftë dëm në shëndetin tuaj. Është një nga problemet më të mëdha edhe në vendet më të zhvilluara. Vërehet fenomeni i marrjes së medikamenteve që nuk ndihmojnë dhe që në të shumtën e rasteve dëmtojnë veten pacientët. Këtu hyn ankthi, pasiguria e vetë personit të prekur dhe nxiten të bëjnë maksimumin me idenë që ato ilaçe bazë, bazuar në orientime bazë të sistemit tonë, nuk mjaftojnë. Mos merrni këshilla me Whatsapp dhe nga mjekë që nuk janë të specializuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *