“Mos mbroni Ramën dhe mos qëlloni mbi studentët”, Berisha thirrje policisë: Dorëzoni kapelet!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që të mos mbrojnë kryeministrin Edi Rama dhe të mos zbatojnë urdhra që, sipas tij, mund t’i çojnë drejt përplasjes me protestuesit.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit për protestat dhe për dhunën e regjistruar gjatë tyre, kreu i demokratëve pretendoi se Rama po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike, duke i cilësuar protestuesit si terroristë dhe duke përmendur ndikimin e Rusisë dhe Iranit. Berisha u bëri thirrje efektivëve të mos qëllojnë mbi studentët dhe gjimnazistët, ndërsa kërkoi që ata të refuzojnë, sipas tij, urdhrat e paligjshëm.
“Por unë jam këtu për t’u bërë thirrje punonjësve të policisë shqiptare, mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuaj gjysmën e shqiptarëve me varfërinë që ka krijuar.
Mos mbroni njeriun që ka zhytur institucionin e tij dhe institucionet e tjera të shtetit në drogë dhe krim. Mos mbroni njeriun që ka përvetësuar dhe vjedhur miliarda e miliarda euro nga taksat dhe djersa juaj dhe e qytetarëve.
Mos mbroni një regjim që është sjellë më keq se çdo pushtues me shoqërinë shqiptare. Frymëzohuni edhe ju nga këta djem dhe vajza guximtarë që duan të hedhin mënjanë diktaturën e drogës dhe krimit.
Mos qëlloni mbi studentët, mbi gjimnazistët, dorëzoni kapelet, dorëzoni detyrën. Mos shkoni dhe të merrni numra falsë, siç po ju detyrojnë të transformoheni totalisht në atë që nuk jeni. Të denatyroheni për të kryer krime. I refuzoni ato.
Përballë jush qëndron krimi monstruoz i kryeministrit, familjarëve të tij, ministrave të tij”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu qëndrimin e Ramës ndaj protestuesve, duke pretenduar se deklaratat e kryeministrit për ndikimin e faktorëve të huaj synojnë të shmangin përgjegjësinë për situatën e krijuar në vend.




