Përfundon edhe procesi i numërimit te votës së kandidatëve për deputetë, në dy qarqet e fundit, në Tiranë dhe Durrës. Numërimi i kutive të mbetura siç edhe ishte parashikuar nuk do të prodhonte asnjë rezultat surprizë përveç se do të thellonte numrin e votave të grumbulluara nga Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi që morën më shumë se 10 mijë vota duke siguruar mandatin e deputetit. Ish Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i renditur i 23 në listën e Tiranës jo vetëm theu herësin por arriti të marrë votën e 16 mijë e 738 zgjedhësve të qarkut të Tiranës.

Surpriza e të njëjtit qark ishte i 30 në listën e Tiranës, Ornaldo Rakipi, që përveç se djali i ish deputetit të PDIU-së. Aqif Rakipi, emri i tij ishte i panjohur deri në çastin që arriti të grumbullojë 15 967 vota, tanimë me mandat deputeti. Vota preferenciale për Ornaldo Rakipi është shumëfish më e lartë se për politikanë të karrierës si Ministri i Diasporës Pandeli Majko dhe ish Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli që humbën mandatin e deputetit.

Me mbylljen e numërimit të votave, renditja e deputetëve për secilin qark si për Partinë Socialiste dhe koalicioni “Aleanca për Ndryshim” udhëhequr nga Partia Demokratike do të rikonfigurohet.

Po aq ndryshim do të pësojë veçanërisht, lista e deputetëve në qarkun e Durrësit apo të Vlorës për Partinë Socialiste. Do të duhet të presim nëse kryeministri Edi Rama, më i votuari në të dyja qarqet cilin mandat të deputetit do të mbajë. Nëse zgjedh Durrësin deputetja e ardhshme e Vlorës do të jetë Teuta Ramaj dhe në të kundërt në Durrës do të jetë Ana Dhamo.

Ende nuk ka një vendimarrje as nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nëse vendin në Tiranë do t’ia lë Petrit Vasilit dhe në Fier, Kejdi Mehmetaj.

Përfundimi i procesit të numërimit të votës preferenciale rendit të parin si më shumë të votuarin nga socialistë, Taulant Ballën më 21 604 vota, ndërsa nga demokratët Lulzim Basha, më 16 186.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *