Mjekët pakistanezë i kërkojnë qeverisë mbylljen e xhamive gjatë muajit të Ramazanit

Pakistani hoqi të shtunën kufizimet për grumbullimet masive në xhami gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Vendimi është marrë pas konsultimeve që Presidenti ka pasur me ekspertët vendas dhe drejtuesit fetarë.
Mirëpo, mjekët nga Shoqata Mjekësore e Pakistanit i janë drejtuar me një letër udhëheqësve shpirtërorë myslimanë dhe kryeministrit pakistanez, teksa i bëjnë thirrje për të rishikuar vendimin e tyre për hapjen e xhamive gjatë muajit të Ramazanit.
“Fatkeqësisht, pushtetarët tanë kanë marrë një vendim të gabuar; klerikët tanë kanë treguar një qëndrim jo serioz”, tha dr. Qaiser Sajjad, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Mjekësore të Pakistanit gjatë një konferencë shtypi të mbledhur nga mjekët.
Sipas mjekëve, ky vendim mund të çojë në shpërthim të rasteve të COVID-19.
“Numri i madh i njerëzve do të përkeqësojnë numrin e të infektuarve dhe do të mbingarkojnë sistemin shëndetësor, i cili ka më pak se 3.000 shtretër për raste emergjence në popullsi prej 220 milion banorë” shtoi dr. Kajzer Saxhad.




