Në Jagodinë dhe Muriqan të Elbasanit, por jo vetëm, fermerët po përballen me dëme të mëdha nga “Miza e Bardhë”. Ky insekt ka goditur mbi 10 hektarë tokë, duke prekur disa kultura bujqësore, por më i dëmtuari rezulton të jetë speci. Siç duket edhe në pamje, kjo kulturë është dëmtuar plotësisht, aq sa fermerët kanë nisur ta hedhin në tokë.
Fermerët shprehen të shqetësuar, pasi një pjesë e madhe e të mbjellave është dëmtuar, ndërsa përdorimi i preparateve nuk ka dhënë rezultat dhe insekti po fiton terren çdo ditë.
“Pesticidet nuk janë të sakta. Në momentin që vjen procesi i vjeljes, shkatërrohet gjithçka”, thot fermerja.
“Problematikat më të mëdha janë miza e bardhë dhe krimbat. I dëmton gjethen dhe bima prishet, duke ndikuar në ulje të prodhimit. Speci dhe kastraveci po dëmtohen më shumë. Sa do e spërkat me pesticide, bima nuk reagon”, shprehen disa prej fermerëve në këto zona.
Shefqet Baja, specialist në Sektorin e Ruajtjes së Bimëve në Elbasan, e lidh përhapjen e mizës me përdorimin pa kriter të pesticideve, që e kanë bërë insektin rezistent.
“Ne realizuam një monitorim pranë fermerëve, duke parë dhe dëmet që ishin shkaktuar. Nga terreni vumë re që speci, në gjendjen që ishte, nuk mund të konsumohej dhe kjo ka ardhur për shkak se miza është bërë rezistente ndaj përdorimit të pesticideve, pasi fermerët kanë përdorur shumë preparate të forta.” – shprehet Shefqet Baja, specialist në Sektorin e Ruajtjes së Bimëve në Elbasan, thot Shefqet Baja – Specialist në Sektorin e Ruajtjes së Bimëve në Elbasan.
Kjo situatë alarmante po e kthen sezonin bujqësor në një sfidë mbijetese për fermerët, të cilët apelojnë për ndërhyrje urgjente institucionale.
/vizionplus.tv





