Mister në Itali! 34-vjeçari shqiptar gjendet i vdekur në mes të rrugës, ka dëmtime në fytyrë

Një 34-vjeçar shqiptar është gjetur i vdekur në një parking pranë një lokali nate në zonën e Verucchios, në Itali. Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë disa pista.
Sipas mediave italiane, trupi i pajetë u zbulua rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar, kur një kalimtar vuri re 34-vjeçarin të shtrirë në asfalt, me dëmtime në fytyrë.
Menjëherë u njoftuan autoritetet italiane dhe shërbimet e emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë, 34-vjeçari ndërroi jetë.
Paraprakisht dyshohet se dëmtimet në fytyrë mund të jenë shkaktuar nga rërzimi, por nuk përjashtohet as pista e një konflikti fizik.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, një nga hipotezat është që shqiptari të jetë ndier keq papritur, të ketë humbur ndjenjat dhe të jetë rrëzuar në tokë. Megjithatë, hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë pistë deri në përfundimin e ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Mediat italiane raportojnë se 34-vjeçari kishte mbërritur prej pak kohësh në Itali së bashku me partneren e tij, me shpresën për të ndërtuar një jetë të re. Ai po kërkonte punë në sektorin e ndërtimit dhe, sipas informacioneve paraprake, kishte gjetur një mundësi punësimi në provincën e Forli-Cesenës.
Viktima nuk kishte ende një vendbanim të regjistruar në zonë. Ndërkohë, autoritetet po verifikojnë lëvizjet e tij të fundit dhe kontaktet që mund të ketë pasur para vdekjes. Përgjigjet pritet të jepen nga autopsia, e cila është urdhëruar të kryhet sot. Ekzaminimi do të ndihmojë në përcaktimin nëse vdekja është shkaktuar nga një problem shëndetësor, apo nga shkaqe të tjera.




