Kongresi elektoral i Partisë Socialiste i shërbeu kryeministrit Edi Rama për t’i dhënë një sërë mesazhesh rivalëve politike, duke filluar nga opozita, presidentit, medias dhe qytetareve.
Lideri i mazhorances u tregua i prerë për çështjen e mandateve, sfidoi Bashën, ironizoi Metën, por bëri gjithashtu një ftesë për miratimin e reformes zgjedhore, një qëndrim i ri ky në kulmin e krizës politike.
Për të komentuar më shumë zhvillimet më të fundit të kongresit të PS-së, në edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus ka qenë analisti Skënder Minxhozi.
Në fjalën e tij për Vizion Pus, analisti Minxhozi është shprehur se prezantimi i rikandidimit të Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, por si pasardhësi i natyrshëm i Edi Ramës.
Si e lexuar kongresin elektoral të PS-së në mesin e krizës politike që ka prodhuar djegia e mandateve?
Zakonisht çdo kongres elektoral është tipik, është i shkurtër nuk ka zgjedhje forumesh, është thjesht një grumbullim dhe shkarkim energjie i adresuar mbi elektoratin, një event që kërkon të mobilizojë më shumë sesa të zgjedhë apo të shtrojë për zgjidhje probleme të caktuara të një force politike. Sot pamë një kongres i cili u fokusua tek ekzekutivi, ka kohë që PS-ja i ka zhvendosur të gjitha energjitë dhe investimin e saj politik tek qeverisja qëndrore dhe lokale natyrisht, por parade e ministrave dhe shpalosja prej tyre e rezultateve në qeverisje na tregon edhe një herë se në plan të parë është qeverisja dhe si të thuash partia është në plan të dytë. Nuk u vu re ndonjë element vijimësie me ndonjë figurë të së shkuarës që mund të jepte ndonjë mesazh, ishte Servet Pëllumbi por nuk foli, Namik Dokle, u përfol ardhja e Nanos por ai nuk erdhi dhe as nuk foli, bëri atë që ka bërë dhe në të shkuarën. Pra është Rama me stafin e tij të të promovuarve të rinj që del përballë shqiptarëve dhe thotë ne jemi këta na jepni votën.
A shënon ftesa e sotme që kryeministri Rama bëri për opozitën, një moment që mund të sjellë ndryshim në këtë situatë?
Kjo është më shumë një provokacion sesa një ftesë, ju kujtoj se nga 61 bashkitë që ka sot Shqipëria në bazë të reformës së re territorial vendore, 45 i zotëron e majta dhe vetëm 16 i ka e djathta. Tek 45 duhet patjetër që të fusim dhe kontributin e LSI-së pasi në zgjedhjet e kaluara ishte bashkë me PS-në, si të thuash balanca është në favor të qeverisë dhe nuk ka gjasë dhe një nga arsyet e djegies së mandateve ishte se nuk ka gjasë që opozita të sfidojë qeverinë në zgjedhjet e qershorit dhe ti marrë gjysmën + 1 të bashkive. Unë besoj se Edi Rama adreson vëmendjen jo aq shumë të krerëve të opozitës por të opinionit publik se do të ketë zgjedhje që do të votohet dhe kjo i bashkohet edhe afirmimit dhe shfaqjes së kandidatëve kryesorë në qytetet më të mëdha përfshirë Erion Veliajn që ishte si të thuash ylli i shfaqjes.
A mund të thellohet përplasja duke mbyllur dyert e dialogut?
Natyrisht zgjedhjet e qershorit janë një pikpyetje e madhe përsa i përket rendit publik, por nuk janë një pikpyetje përsa i përket qëndrimeve politike jo vetëm të mazhorancës, por edhe të faktorit ndërkombëtar. Nëse sot ti pyet të huajt se çfarë do të ndodh në verë me zgjedhjet e radhës në Shqipëri do të ishte shumë e vështirë që të gjesh dikë që do të thoshte të mos mbahen zgjedhjet. Realisht e dimë se shapin nga sheqeri ose arbitri në këto dhe në zgjedhjet e ardhshme, në ato që do të vijnë dhe në kompromisin e ardhshëm politik nuk do ta bëjë në asnjë lloj rrethane as presidenti, as partitë dhe as parlamenti do ta bëjnë të huajt.
Si e konsideroni rikandidimin e Veliajt?
Unë mendoj se sot Erion Veliaj u afirmua jo vetëm si një i rikandiduar për bashkinë e Tiranës por si pasardhësi i natyrshëm i Edi Ramës, zyra e Bashkisë ka qenë paradhomë e zyrës së kryeministrit për shumë dekada në Shqipëri. Kam idenë se Veliaj duke marrë rikandidimin në Tiranë ka marrë defakto jo vetëm një fitore të lehtë jo vetëm në prezencë të opozitës sepse shifrat e tregojnë këtë, pra ai nuk ka kundërshtar në Tiranë por kam përshtypjen se ka marrë dhe një afirmim de jure për të qenë ai pasardhësi i natyrshëm i kryeministrit Rama dhe i kryetarit të Partisë Socialiste, kur ky zëvendësim të ndodhë në një të nesërme kur as Rama dhe as Veliaj nuk e dinë. Mënyra se si u lançua Veliaj së bashku me Edi Ramën etj, tregon realisht në një simbolikë apo metaforë në të gjithë atë podium të së sotmes dhe të së nesërmes të PS-së. Pra ky është një afirmim jo vetëm në rrafsh lokal për Velinë, por besoj se është një afirmim për të nesërmen në rrafshin kombëtar.





