Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka thënë botës që të mos nënvlerësojë rreziqet e konsiderueshme të një konflikti bërthamor.

Ai po ashtu ka thënë se furnizimi i Ukrainës me armë nga NATO-ja “në thelb” nënkupton se aleanca e Perëndimit është e përfshirë në luftë me Rusinë, në mënyrë të tërthortë.

I intervistuar nga televizioni shtetëror rus, Lavrov është pyetur për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale është e krahasueshme me Krizën Kubane të Raketave më 1962.

“Rreziqet tani janë të konsiderueshme”, ka thënë Lavrov sipas transkriptit të intervistës, që është publikuar në faqen e Ministrisë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Nuk do të dëshiroja të vlerësoja këto rreziqe në mënyrë artificiale. Shumë do ta dëshironin këtë gjë. Rreziku është serioz, real. Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se i ka parë deklaratat frikësuese të Rusisë si shenjë dobësie.

Rusia ka humbur “shpresën e fundit për të frikësuar botën nga mbështetja e Ukrainës”, ka thënë Kuleba në Twitter pas intervistës së Lavrovit.

“Kjo vetëm nënkupton se Moska e vëren humbjen”.

Gjatë vizitës në Kiev të dielën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kanë premtuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë të hënën se ka shfrytëzuar një deklarim urgjent për të miratuar një shitje potenciale të municionit për Ukrainën në vlerë të 165 milionë dollarëve.

Austin u ka thënë më pas gazetarëve se Uashingtoni dëshiron të shohë “Rusinë të dobësuar në shkallën kur nuk mund të bëjë gjërat që i ka bërë për të pushtuar Ukrainën”, duke shtuar se Kievi mund ta fitojë luftën nëse ka mbështetjen e duhur.

Pentagoni ka thënë se në paketë do të përfshihen artileri, tanke dhe lansuese të granatave.

Ambasadori rus në Uashington u ka thënë Shteteve të Bashkuara që të ndalin dërgesat, duke paralajmëruar se armët e Perëndimit janë duke rritur konfliktin.

“NATO, në thelb, është e përfshirë në luftë me Rusinë në mënyrë të tërthortë. Lufta nënkupton luftë”, ka thënë Lavrov.

Pushtimi dymujor rus në Ukrainë, njëherësh sulmi më i madh në një shtet evropian prej vitit 1945, ka lënë mijëra njerëz të vrarë dhe të plagosur, ka shkatërruar qytete e qyteza dhe ka detyruar mbi 5 milionë njerëz të ikin nga shteti.

Moska e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe për ta mbrojtur nga fashistët./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *