Elton Debreshi, kandidati i pavarur për deputet që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit, deklaroi se qëllim i tij është mbrojtja e të drejtave të minatorëve.

I ftuar këtë të mërkurë në studion e lajmeve në Vizion Plus, Debreshi theksoi se nisma për të kandiduar vjen si nevojë për shkak të lënies në harresë të problematikave të minatorëve nga politika gjatë 30 viteve.

“Jam një bir minatori, brezi i tretë në minierë. Kemi kontribuar gjithë këto vite për minierën dhe jam i vetmi zë për minatorët. Pikësynimi është statusi i minatorit, të cilin prindërit tanë e kanë kërkuar këto 30 vjet. Është zvarritur nga partitë politike. Ky është kushti i parë i panegociueshëm për minatorët. Janë edhe problemet e zonës së Dibrës dhe Bulqizës që po shfrytëzohen me ndërtimin e HEC-eve dhe shkatërrimin e pyjeve; duhet t’i mbrojmë patjetër.”

Miratimi i statusit të minatorit, tha Debreshi, do të jetë synimi dhe kushti i panegociueshëm i tij, e që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të minatorëve.

“Statusi i minatorit ka disa pika që janë tepër bazike, por nuk e di pse e marrin tepër ekstrem: siguri në punë, po vriten njerëzit përditë, përgjegjësinë e mban gjithmonë viktima; pagat e minatorëve, të cilat janë qesharake, ndiehen të ofenduar, vijon tek 400-650 mijë lekë të vjetra; sigurimet shoqërore gjithashtu janë shumë të ulëta, pensionet dalin shumë qesharake; sigurimet e familjeve të minatorit, nëse minatori humb jetën, familjet e tyre nuk duhet të jenë në skamje, por duhet t’iu lidhen pension. Po ashtu, edhe fëmijët e minatorëve, që sot kanë marrë rrugët e galerive dhe nuk ndjekin studimet. Në fakt, neve jemi të zhgënjyer 30 vite nga partitë.”

Debreshi, i cili kandidon në Dibër, theksoi se statusi i minatorit është përdorur nga politika vetëm për të vota.

Në fund të bisedës, 32-vjeçari i shprehu ngushëllimet familjes së Fiqiri Karajt, 49-vjeçari që humbi jetën mesditën e kësaj të mërkure, teksa ishte duke punuar në një nga galeritë e kromit në zonën “D”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *