Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo, ka shfrytëzuar vizitën e tij në Lindjen e Mesme, për të kritikuar marrëveshjen me Iranin për armët  bërthamore. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Saudit në Riad paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore e Iranit.

 

“Ne jemi të vendosur të sigurohemi që nuk do të ketë më armë bërthamore. Marrëveshja e Iranit në formën e saj aktuale nuk garanton siguri. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë evropianë për ta rregulluar këtë marrëveshje, por nëse nuk arrihet një marrëveshje, Presidenti do të tërhiqet”.

 

Ish-kreu i CIA-s i cili u zgjodh në krye të diplomacisë amerikane vetëm pak ditë më parë, akuzoi Iranin si sponsorin më të madh të terrorizmit. Mesazhi i Pompeo tregon se Shtetet e Bashkuara nuk do të ricertifikojnë marrëveshjen e Iranit, pavarësisht tentativave të aleatëve më të fuqishëm europianë për të bindur presidentin Trump të mos tërhiqet. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka afat deri në 12 maj.

 

Presidenti Trump e ka kritikuar prej kohësh marrëveshjen, duke e konsideruar atë si më të keqen të bërë ndonjëherë në histori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *