Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit, i cili fillon nesër.
Kreu i shtetit uron agjërim të lehtë dhe të pranuar për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ku ndodhen.
Ai shkruan se Muaji i Ramazanit është lajmëtar i mesazheve të ngrohtësisë për të gjithë besimtarët, duke na ftuar të tregojmë vlerat më të larta njerëzore, më shumë dhembshuri, përkushtim dhe bujari për njëri-tjetrin.
Mesazhi:
GËZUAR MUAJIN E BEKUAR TË RAMAZANIT!
Agjërim të lehtë dhe të pranuar, të shëndetshëm dhe me mbarësi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen!
Uroj nga zemra më shumë paqe dhe begati, harmoni dhe mirëkuptim, gjatë këtij Muaji të Shenjtë si dhe në çdo ditë të jetës, të rrethuar nga mëshira hyjnore dhe të përmbushur nga dashuria e Zotit!
Muaji i Ramazanit është lajmëtar i mesazheve të ngrohtësisë për të gjithë besimtarët, duke na ftuar të tregojmë vlerat më të larta njerëzore, më shumë dhembshuri, përkushtim dhe bujari për njëri-tjetrin.
Shumë myslimanë shqiptarë mund të mos jenë në gjendje ta kremtojnë këtë vit Ramazanin.
Le të zgjatim dorën e ndihmës dhe të punojmë të gjithë për të lehtësuar pamundësinë e tyre sepse kjo periudhë e shenjtë na kujton detyrimet tona të përbashkëta për të ruajtur dinjitetin e çdo njeriu.
Njerëzit e mirë nuk i bën vetëm besimi, por dhe veprat e mira dhe konkrete në shërbim të tjetrit, të komunitetit dhe të kombit, sepse ashtu siç thuhet edhe te një prej haditheve: “Njeriu më i mirë është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit”.
Shqipëria ka nevojë për shpresë dhe të bashkuar ne mund dhe duhet t’ja dalim!
NGA MOT GËZUAR MUAJIN E MADHËRISHËM TË RAMAZANIT!