Presidenti Ilir Meta këmbëngul që Gjykata Kushtetuese dhe shteti në tërësi është i kapur nga një organizatë e strukturuar, e cila sipas tij ka program të qartë instalimin e një regjimi që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve.

 

Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit bën me dije se më kapjen e Kushtetueses synohet dorëzimi “de facto” i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare.

 

“Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme. Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t’i asgjesojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit.”

 

Meta i bën edhe njëherë thirrje çdo qytetari që të mblidhen në 2 mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të treguar se Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij.

 

“Duhet të kuptoni se kjo nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte de facto Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë. Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *