Presidenti Ilir Meta reagoi pas ndarjes nga jeta të shtetasit Rifat Lalo në spitalin Infektiv. Për vdekjen e tij, dy vajzat e tij denoncuan se ishte lënë në karrige, pa marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Nisur nga ky rast, kreu i shtetit kërkoi nga organet ligjzbatuese të hetojnë pse nuk janë në dispozicion pajisjet e duhura mjekësore për trajtimin e qytetarëve.

 

“Të humbasësh babain dhe të mos lihesh i qetë t`i japësh lamtumirën, se të duhet të përballesh me presionin dhe marrjet në pyetje të Policisë së Shtetit, është një qasje edhe më e tmerrshme çnjerëzore, një formë e re e dhunimit të çdo lloj norme morale dhe të drejtash të njeriut, që nuk mund të tolerohen në një shtet demokratik. Në vazhdën e ngjarjeve, që janë bërë publike mbi trajtimin e të infektuarve me COVID-19 në ambientet spitalore, edhe pretendimi më i vogël, duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjshmëri, me objektivitet e paanshmëri nga organi i Prokurorisë, por jo nga Policia e Shtetit, që i bëj thirrje të mos keqpërdoret. Organet ligjzbatuese, duhet të hetojnë pse spitalet nuk kanë pajisjet e nevojshme mjekësore, pse kontratat koncesionare të diagnostifikimit në shëndetësi nuk u shfrytëzuan për përballimin e pandemisë, si janë realizuar të gjitha tenderimet sekrete ose jo në shëndetësi dhe pse Ministria e Shëndetësisë e Qeveria nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për blerjen e pajisjeve jetëshpëtuese ECMO, për të ulur nivelin e vdekshmërisë të të sëmurëve, që intubohen.”

 

Ilir Meta shtoi në reagimin e tij në rrjetet sociale se institucionet shtetërore nuk duhet të cenojnë dinjitetin dhe personalitetin njerëzor. Sipas presidentit, kush ka një sjellje tjetër, do të ndëshkohet më 25 prill.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *