Kjo e premte nisi me takime intensive për presidentin Ilir Meta. Njëri pas tjetrit, aleatët e Partisë Demokratike i shkuan në zyrë presidentit për të diskutuar për datën e zgjedhjeve parlamentare të 2021.
I pari që ngjiti shkallët ishte nënkryetari i Partisë Republikane të Fatmir Mediut, Arian Madhi. Pas takimit, ai tha për mediat se ka propozuar që zgjedhjet të zhvillohen në 18 prill.
“Shkëmbyem pikëpamjet dhe argumentet tona për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme. I ofrova presidentit propozimin e PR, e cila kërkon të dekretohet si datë zgjedhjes 18 prilli, si data më e afërt për zgjedhjet në Shqipëri. Presidentit i shpresa bindjen tonë që Reforma Zgjedhore, që u realizua mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit, do të mund të ofrojë zgjedhje të lira e të ndershme.”, tha Madhi.
Pas tij, në zyrën e Metës u fut kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi. Ky i fundit, vëmendjen e fokusoi tek marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për detin.
“Ne nuk kemi çfarë bisedojmë me Greqinë për ujërat territorial, por vetëm për zonat ekonomike. Nëse Greqia do të hapë çështje të tilla, pa dyshim që ne do të kërkojmë Çamërinë. I bëra të qartë Presidentit që bisedimet mes dy vendeve duhet të fillojnë nga heqja e ligjit të luftës, të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjes çame. PDIU i shprehu shqetësimet Presidentit që qeveria ka fshehur agjendën shqiptare në diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ka avancuar me agjendën greke.”
Kreu i shtetit priti në takim edhe kreun e PBDNJ, Vangjel Dule dhe kryetarin e PDK, Nard Ndoka. Në orën 11.00 në zyrë do të futet kryeministri Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Taulant Balla.
Pas tij, Meta do të takohet me kryedemokratin Lulzim Basha në 12:30 do të zhvillojë takim me zv.kryetarin e LSI, Luan Rama. Ndërsa në orën 17:30 Meta do të pres në takim edhe Rudina Hajdarin.