Subscribe

Ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po shqyrton procedurat për katër kandidatët për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Meta ka shpërthyer në akuza ndaj këtij institucioni për veprime antiligjore.

Në një letër të gjatë, drejtuar KED, kreu i shtetit akuzon këtë të fundit se nga 10 kandidatë që kanë aplikuar për vakancën në Gjykatë Kushtetuese ka përzgjedhur në mënyrë të njëanshme katër emra.

 

Sipas Metës, një ndarje e tillë përveçse do të sjellë implikime të forta ligjore për veprimtarinë e KED-së, krijon dyshime për një proces selektiv të paramenduar dhe një tjetër vonesë në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

 

Kjo situatë është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe kërkon menjëherë marrjen e masave prej KED-së për rikthimin e situatës në brazdat ligjore. Kjo nënkupton që të mos pengohet puna për asnjë moment.  Këshilli duhet të vijojë punën në mënyrë të pandërprerë duke qëndruar i mbledhur dhe të përfshijë për shqyrtim në rendin e ditës të mbledhjes dhe relacionet me gjetjet edhe për 6 kandidatët e tjerë.

 

Meta ka kontestime edhe sa i takon çështjes Dvorani. Sipas kreut të shtetit, KED nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të diskutuar në lidhje me këtë çështje e aq më pak të marrë vendim.

 

Jo vetëm ndonjë veprim, por edhe çdo diskutim që mund të lërë të hapur shtegun duke u vetinterpretuar si mundësi nga ish-anëtari i Gjykatës së Lartë për të marrë pjesë në veprimtarinë e KED-së në vijim, do të prodhonte një situatë anormale në dëmtim të rëndë të ligjshmërisë së proceseve në ndjekje nga ana juaj.

 

Por krahas KED, presidenti ka bërë akuza të forta edhe ndaj KLGJ, e cila sipas tij, po paraqet vonesa të pajustifikuara për verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për gjykatën e lartë.

 

Çdo veprim që nuk shkon paralel me kërkesën dhe nevojën jetike që ka vendi, do të kuptohet si veprimtari e qëllimtë për bllokimin e funksionimit si të Gjykatës së Lartë ashtu dhe të Gjykatës Kushtetuese, çka kërkon mbajtjen e përgjegjësive ligjore nga çdo funksionar.

 

Në këto kushte, Meta i kërkon KED që të vijojë punën me impenjim të plotë e të pandërprerë dhe pa u ndikuar nga aktorë të ndryshme me qëllim përfundimin e të gjitha procedurave për tre vendet vakante në gjykatën kushtetuese brenda muajit shtator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *