E diel, 27 Shtator 2026 Kartonat e Mengjesit deri në 10:00 Në vijim ora 10:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Meta nga Lezha: Qeveria po bën përpjekje për parandaluar përhapjen e COVID-19

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar këtë të martë një vizitë pune në qytetin e Lezhës për t’u interesuar rreth masave të marra parandaluese lidhur me pandeminë e COVID-19.

 

Në takimin që realizoi me Prefektin e Qakut, Gjokë Jaku, u informua për gjendjen aktuale shëndetësore të të prekurve nga pandemia dhe nevojën e testimit të personave me të cilët kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta.

 

Kreu i shtetit shfaqet i vendosur se kjo situatë do të kapërcehet, nëse rastet e konfirmuara me COVID-19 mbahen të izoluar, ndërsa apelon që të bëhet çdo përpjekje për t’u rikthyer në normalitet.

 

“Përgëzoj Prefektin, kryetarët e bashkive dhe të gjithë pushtetin vendor, të gjithë qytetarët, për përgjegjshmërinë që kanë treguar. Por edhe të gjithë sipërmarrësit për të gjithë solidaritetin që ata kanë treguar për familjet më në nevojë! Besoj se do dalim sa më shpejt nga kjo situatë, nëse i mbajmë të izoluar të gjitha këto raste që janë shfaqur deri tani! Të bëjmë çdo përpjekje që sa më shpejt të rikthehemi në normalitet dhe këtë do ta arrijmë përmes frymës së bashkëpunimit midis insitucioneve qendrore dhe vendore, dhe midis të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë.”

 

Sipas tij, qeveria shqiptare ka bërë dhe po vijon të bëjë përpjekje për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

 

“Besoj se ju e keni ndjekur të gjithë dinamikën e kësaj sfide. Kjo është një sfidë jo vetëm për vendin tonë, por është një sfidë për të gjithë botën si dhe për vetë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që në vijimësi nxjerr udhëzime të reja në përshtatje me situatën. Në këtë drejtim mendoj se edhe qeveria shqiptare ka bërë dhe po bën përpjekjet e saj dhe është e rëndësishme që të ketë një frymë gjithnjë e më të madhe të bashkëpunimit. E theksoj edhe një herë, midis autoriteteve qendrore, autoriteteve vendore dhe midis të gjitha autoriteteve dhe qytetarëve.”

Më shumë video