Për afro 3 orë ish-presidenti Ilir Meta është marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK në lidhje me një nga dosjet e dyshuara korruptive që rëndon ndaj tij, ajo e lobimit në Shtetet e Bashkuara.
Meta ka qenë në prani të avokatit të tij Genc Gjokutaj gjatë procesit të pyetjeve të hetuesve.
Ish-numri një i shtetit është dërguar në ambientet e SPAK përmes tunelit që lidh këtë institucion me godinën e burgut 313 në Tiranë.
Pas marrjes në pyetje, avokati i tij tha se Meta u tregua bashkëpunues me prokurorinë dhe i është përgjigjur pyetjeve të tyre për lobimin në SHBA.
“Sot në orën 10 e gjysmë ishte planifikuar pyetja e Metës nga prokurori Kllapi dhe oficeri Maksim Bejko. Në fakt pyetja filloi me një kërkesë të Metës i cili donte të dinte ç’bëhet me kallëzimin e rrëmbimit të masës së sigurimit më 21 tetor. Por prokurorët thanë që kjo çështje nuk është caktuar atyre për objektivitet janë caktuar të tjerë. Sot u pyet për lobimin në Amerikë. Meta ishte bashkëpunues dhe sqarues për aq sa kishte dijeni dhe mbante mend pa iu referuar akteve që do na vihen në dispozicion”, tha Gjokutaj.
Ndërkohë Ilir Meta ka pyetur prokurorinë në lidhje me ecurinë e hetimeve të dosjeve që ai ka denoncuar në kohën kur ishte i lirë si ajo e inceneratorëve, apo dosja McGonigal.
“Meta i kërkoi prokurorëve ç’bëhet për çështjen McGonigal, inceneratorët. Ai është lideri i opozitës dhe sigurisht që PL ka bërë kallëzimet përkatëse dhe u interesua për këto çështje. Prokurorët thanë që nuk mund të përgjigjeshin. Ata sugjeruan që me anë të një kërkesë ti drejtohet një organi të SPAK për aq sa ata do vlerësojnë”, sqaroi Gjokutaj.
Ndërkohë Meta pritet që t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për kushtet e arrestimit të tij të cilat i konsideron të jashtëligjshme./vizionplus.tv





