“Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, sfidat dhe perspektivat” është aktiviteti i mbajtur të premten ne Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, në kuadër të projektit të Binjakëzimit, i financuar nga BE për fuqizimin e parlamentit shqiptar.

 

Projekti, që do të zbatohet bashkërisht nga parlamenti grek, italian dhe ai shqiptar, gjatë periudhës maj 2017-maj 2018, synon fuqizimin e kapaciteteve të Kuvendit për një përafrim më efiçent të legjislacionit, për përmirësimin e rolit mbikëqyrës të tij, lidhur me punën e qeverisë dhe institucioneve të pavarura, për fuqizimin e autonomisë financiare dhe buxhetore, si dhe për të rritur transparencën dhe kapacitetet administrative.

 

Duke marrë fjalën kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu kënaqësinë për nisjen e këtij projektit të binjakëzimi mes Kuvendit të Shqipërisë në bashkëpunim me Parlamentet e Italisë dhe Greqisë, dy vende tejet të rëndësishme për Shqipërinë dhe avokate të palodhura e të fuqishme të vendit tonë për integrimin evropian.

 

“Anëtarësimi në BE është interes kryesor kombëtar dhe objektiv strategjik i Shqipërisë që në fillim të viteve 1990. Nuk ka asnjë dyshim se vizioni ynë drejt BE, mbështetet në një konsensus të gjerë të klasës politike dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, sepse integrimi i plotë i Shqipërisë në familjen evropiane, konsiderohet si alternativa e sigurtë drejt një demokracie të qëndrueshme, një shoqërie moderne dhe një ekonomie të zhvilluar për qytetarët tanë. Nëse e kthejmë pas vështrimin ndër vite, është e qartë se Shqipëria ka arritur përparime të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian. Hapi më i fundit substancial u hodh në qershor 2014, kur Këshilli Evropian miratoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, deklaroi Meta.

 

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se gjatë këtij procesi të gjatë e plot sfida, e me synim hapjen e bisedimeve për anëtarësim, Kuvendi ka patur dhe ka ende një rol thelbësor.

 

“Natyrisht që edhe më shumë mund të ishte bërë nëse do të kishim evituar apo moderuar më mirë disa konflikte të panevojshme politike. Puna jonë ka qenë e fokusuar në avancimin e reformave të nevojshme me qëllim adresimin e 5 prioriteteve kyçe të KE-se për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Një prej angazhimeve më madhore dhe më komplekse ka qenë në kuadër reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë. Më 22 Korrik 2016 Kuvendi ynë miratoi me unanimitet amendimet kushtetuese, në kuadër të reformës në drejtësi. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, kemi punuar për reformimin e kompetencave kryesore të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë duke synuar një sistem drejtësie në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, shtoi Meta, ndersa u ndal në përparimet e rëndësishme që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë gjatë 4 viteve të fundit në drejtim të përmirësimit të funksionimit të tij në linjë me praktikat më të mira të parlamenteve Evropiane.

 

Por jemi të ndërgjegjshëm se një demokraci në zhvillim si kjo e Shqipërisë, ka të domosdoshëm një Parlament edhe më të fortë, edhe mbikëqyrës, edhe më profesional, theksoi Meta. Takimi u përshëndet dhe nga parlamentarë nga vendet fqinje, Greqia dhe Italia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *