Subscribe

Presidenti kthen në kuvend ligjin për një nga koncensionet me të sulmuara prej opozitës, atë për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren. Për kreun e shtetit kontrata e miratuar nga qeveria dhe e vulosur më pas nga kuvendi është në shkelje flagrante të intersit publik dhe kushtetutës së Shqipërisë.

 

Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit. Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj.

 

Duke i konsideruar të gjithë hapat e ndjekur nga institucionet në shkelje të ligjit Ilir Meta thekson se ky koncension sjell pasoja të rënda për buxhetin, pasi nuk është përllogaritur kosto e saktë e rrugës. Madje sipas kreu të shtetit edhe miratimi i kontratës në kuvend është i qëllimshëm për të mbuluar paligjshmërinë dhe për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë.

 

Mungesa e vlerësimit të qartë ekonomik krijon rrezik për cenim të financave. Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve në ekonominë e vendit. Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit. Duket qartë se qeveria për t’i dhënë një mbrojtje këtij procesi të paligjshëm, dhe për të shmangur çdo përgjegjësi përveç se ka nënshkruar një kontratë koncesionare/PPP në të njëjtën datë ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim amnistimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë.

 

Presidenti paralajmëron institucionet që janë marrë termat e negocimit të kësaj kontrate veçanërisht autoritetin rrugor shqiptarë se do të mbajnë përgjegjësi.

 

Kjo është shkelje e rëndë ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimmarrës në këtë çështje që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor deri tek vendimmarrja e Këshillit të Ministrave, që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë të plotë dhe shteruese të Ministrisë së Financave  dhe Ekonomisë.

 

Presidenti përdor si argument për kthimin e ligjit edhe dyshimet e ngritura nga institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare. Meta kërkon nga kuvendi shqyrtimin terësor të kontratës për Milot-Balldren.

 

Dhe ky rishikim sipas kreut të shtetit duhet të bëhet pas datës 1 tetor kur do të hyjnë në fuqi edhe ndryshimet në ligjin e koncesioneve që ndalojnë ofertat e pakërkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *