Meta kthen “Gjendjen Civile”: Krijon kaos me listat, përdoret për qëllime elektorale
Presidenti Ilir Meta ka rikthyer në Kuvend ndryshimet e votuara në ligjin për gjendjen civile, me argumentimin se ato mund të kenë ndikimin në procesin zgjedhor dhe se nuk është momenti i përshtatshëm. Në këto ndryshime, mazhoranca ka shfuqizuar nenin që parashikonte gjobën për mosregjistrimin në kohë të vendbanimit, me argumentin se duhet të ketë një disiplinim të qytetarëve. Por Meta ka një tjetër mendim.
“ILIR META – PRESIDENT I REPUBLIKËS
ReklamëNjë ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qenësishëm që mund të ketë në procesin zgjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.”
Për kreun e shtetit, akoma më shqetësues bëhet ky liberalizim në këtë periudhë parazgjedhore, kur kjo lëvizje mund të mendohet se bëhet për qëllime elektorale.
ILIR META – PRESIDENT I REPUBLIKËS
“Një nga proceset më të rëndësishme në këtë kuadër është hartimi i listës së zgjedhësve, i cili tashmë mendohet se është në një fazë të avancuar. Ndryshimi ligjor i propozuar pritet të ketë ndikim të madh në qëndrueshmërinë dhe njëtrajtshmërinë e procesit të hartimit të listave. Procesi i rishikimit periodik të shpërndarjes së mandateve është thelbësisht i lidhur me regjistrimin e vendbanimit të shtetasve. Një situatë e paqëndrueshme, apo që jep hapësirë për regjistrime fiktive kaq pak kohë para zgjedhjeve dhe pikërisht para momentit të rishikimit ligjor të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve, do të cenonte rëndë përfaqësimin parlamentar, procesin zgjedhor dhe besimin politik tek procesi zgjedhor.”
Duke iu drejtuar deputetëve, Meta nënvizonte se ky ligj nuk adreson në mënyrën e duhur qëllimin që deklarohet, shkakton trajtim të pabarabartë mes qytetarëve, nuk realizon as interesin madhor publik për evidentimin e adresave të sakta të banimit, dhe mbart rrezikun për keqpërdorim për qëllime zgjedhore.




