Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë, presidenti Ilir Meta u përqëndrua tek marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës.

 

Gjatë fjalës përshëndetëse, Meta theksoi se është koha që të zgjidhet problemi mes tyre, ndërsa shtoi se në zemër të një marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Ndër të tjera, kreu i shtetit nuk e sheh si zgjidhje ndryshimin e kufijve.

 

“Nuk ka popull të keq dhe popull të mirë, por ka politikë të mençur, vizionare, dhe politikë vrastare e shkatërruese. Kjo është e vlefshme për të gjithë vendet e të gjithë popujt. Në Ballkan, çdo popull e çdo komb është shumicë në një shtet dhe është pakicë në një shtet tjetër dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve, por respektimi i njëjtë i standardeve evropiane të çdo pakice në çdo vend. Na mbetet ta bëjmë rajonin tonë më të fortë, më të besueshëm, e mbi të gjitha më atraktiv, në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi. Është koha të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç u zgjidh mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Në zemër të një marrëveshjeje dhe normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve. Kjo do bënte një çlirim të jashtëzakonshëm të energjive pozitive në gjithë rajonin tonë”, tha Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *