Meta i “tërheq veshin” opozitës: Kthehuni në tryezën e reformës zgjedhore

Përveç çështjes së Teatrit Kombëtar, një vend të veçantë gjatë takimit të presidentit Ilir Meta me Opozitën e Bashkuar zuri edhe reforma zgjedhore. Meta kërkoi nga opozitarët që t’i japi fund bojkotit.
Sipas presidentit, ata duhet të ulen në tryezën e reformës zgjedhore për të dhënë kontributin e tyre. Kjo, theksoi Meta, është mënyra e vetme sesi mund të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane. Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, njoftoi Presidenca.
Opozita nuk mori pjesë në takimin e fundit të Këshillit Politik, duke bojkotuar në shenjë proteste pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Kur u pyet, Lulzim Basha tha se nuk mund të jenë thjeshtë fasadë në këto takime.




