Presidenti Ilir Meta tregoi se pse vendosi të publikonte pas shtatë muajsh një mesazh të një diplomati të huaj në Tiranë për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për “Albanian Daily News”, Meta deklaroi se ky mesazh është një kambanë alarmi dhe shumë aktual. Sipas tij, nga mesazhi kuptohet se ekspertët ndërkombëtarë mbanin krahun e mazhorancës.

“Ky mesazh po publikohet mbas 7 muajsh, pikërisht sepse është më aktual se kurrë dhe shërben si një kambanë alarmi për të gjithë. Ai tregon se ishte i domosdoshëm si një akt sovraniteti, transparence, por edhe paralajmërimi për çdo aktor që mban përgjegjësi për dështimet e rënda të Reformës në Drejtësi. Mesazhi synon të tregojë paaftësinë e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët në rastin në fjalë nuk mbështesnin qëndrimin e Presidentit por qëndrimin e z. Dvorani, pra të Kryeministrit Rama, në shkelje të qartë të Kushtetutës për t’i rrëmbyer Presidentit një kompetencë kushtetuese që i takonte vetëm atij. Ky mesazh tregon qartë se ekspertët ndërkombëtarë ishin bërë njësh për këtë cështje me Dvoranin dhe mazhorancën dhe kjo u konfirmua për fat të keq edhe në vijimësi me qëndrimet e tyre aspak transparente lidhur me ligjin që sollli mazhoranca për betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.”

Meta tha se nga ky mesazh duhet të nxirren mësime dhe t’i hapet rruga zbatimit të reformës në drejtësi. Ai u shpreh i vendosur për të ndihmuar në këtë drejtim, duke zbatuar Kushtetutën.

“Mirëmëngjesi Beni! Biseduam me Ramën në telefon dhe zyrat ligjore të SHBA dhe BE nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin. Ramë dakord me Ramën që Marsida Xhaferllari të jetë në listën tjetër dhe Rama nuk do të përpiqet ta bllokojë”, ishte mesazhi i bërë publik nga presidenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *