Mes kaosit dhe përplasjeve, seanca e Kuvendit mbyllet brenda 1 ore

Vetëm 1 orë ka zgjatur seanca plenare e kësaj të enjte.
Në nisje të saj, teksa kreu i Kuvendit Niko Peleshi po lexonte rendin e ditës, ishte Flamur Noka ai i cili shkoj i pari pranë foltores e më pas duke iu drejtuar Peleshit. I ndjekur edhe nga deputetët e tjerë të opozitës, Peleshi u pengua që të lexonte rendin e ditës.
Më pas, teksa kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla vlerësoi punën e policisë në lidhje me protestat, reagimi i Nokës ishte i menjëhershëm, duke i hequr fillimisht mikrofonin e më pas duke u përplasur me njëri-tjetrin.
Peleshi njoftoi 5 minuta pushim, për qetësimin e situatës. Por edhe pas një pauze të shkurtër, qetësia në sallë nuk u rikthye.
Mes tensionesh të forta, Peleshi kaloi në procesin e votimit, moment ky që kulmoi me përplasje fizike mes deputetëve të PS dhe PD.
Mes kaosit, zhurmës dhe përplasjeve, projektligjet kaluan shpejt e shpejt në proces votimi, e më pas kreu i Kuvendit njoftoi mbylljen e seancës plenare.




