Kancelarja në largim, Angela Merkel, në intervistën e saj të fundit pranon se sfidat më të mëdha gjatë 16 viteve në detyrë kanë qenë padyshim kriza e emigrantëve në vitin 2015 dhe pandemia e koronavirusit.

 

ANGELA MERKEL

KANCELARE NE DETYRE, GJERMANI

“Këto dy ngjarje ishin për mua personalisht sfidë, ndërkohë që numrin e madh të refugjatëve që vijnë, unë nuk do të doja ta quaja krizë, sepse njerëzit janë njerëz. Presioni për të ikur, veçanërisht nga Siria dhe vendet përreth, ishte shumë i fortë në atë kohë. Kurse për pandeminë e koronës, aty pamë se sa shumë njerëz u prekën drejtpërdrejt pra kemi të bëjmë me fate njerëzore”.

 

Si një lloj krize në kohën e saj si kancelare, Merkel e quajti gjithashtu faktin që gjithnjë e më shumë njerëz në botë e vënë në dyshim multilateralizmin.

 

“Për mua ishte gjithmonë e rëndësishme dhe gjithmonë jam përpjekur të forcoj organizatat ndërkombëtare, FMN-në, Bankën Botërore, Organizatën Botërore të Tregtisë dhe të tjerat.”

 

Merkel, e cila para se të bëhej Kancelare ishte ministre e Mjedisit dhe ka kryesuar samitin e parë të OKB-së për klimën në Berlin në vitin 2005, u shpreh se nuk është arritur mjaftueshëm sa i takon ndryshimeve klimatike.

 

“Ne jemi bërë më të shpejtë. Por kurrë nuk ka qenë si tani, që distanca ndaj vlerësimeve shkencore është rritur përsëri. Kjo duhet të ndryshojë tani gjatë kësaj dekade. Ne duhet të bazohemi përsëri dhe të ndjekim rekomandimet e studimeve shkencore lidhur me ngrohjen globale prej 1.5 gradësh. Aktivistët e rinj të klimës duhet të bëjnë presion!”

 

Në takimin e G20 një javë më parë në Itali, Angela Merkel u shfaq disa herë në takime dhe në publik  me pasardhësin e saj të mundshëm, Olaf Scholz, i cili është ministër i Financave në qeverinë gjermane ende në detyrë. Në Berlin Scholz po negocion aktualisht me të Gjelbërit dhe FDP për një qeveri të re nën udhëheqjen e tij. Merkel tha se gjatë ditëve në samitin e G20 në Itali për të ishte e rëndësishme t’u dërgonte njerëzve një mesazh:

 

 

 “Nëse shihni se kreu aktual i qeverisë dhe kreu i ardhshëm i qeverisë kanë një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin, ky është një sinjal qetësues në një botë mjaft të trazuar.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *