Subscribe

“Melia Group” është brandi i parë ndërkombëtar që ka zgjedhur të investojë në fushën e turizmit në Shqipëri në bashkëpunim me kompaninë “Concord Investment”.

 

Zëvendës presidentja e “Melia Group”, Maria Zarraluqui, shpjegon pse një kompani që ka hotele në 45 vende të botës vendosi këtë herë për Shqipërinë.

 

Maria Zarraluqui: “Unë shoh një potencial të madh për kalimin e pushimeve dhe turizmin në këtë vend. Prandaj kjo është arsyeja pse “Melia” vendosi të vijë në Shqipëri me një partner të madh, familjen Dulaku, dhe ne jemi shumë krenarë të themi se kemi 3 marrëveshje me ta; një në Tiranë, në një prej pikave më të rëndësishme të kryeqytetit dhe dy të tjerë në Durrës”.

 

Në Durrës, në Gjirin e Lalzit, “Concord Investment” së bashku me “Melia Group” po ndërtojnë kompleksin turistik “San Pietro Resort” duke fituar edhe statusin e investitorit strategjik.

 

“Bashkëpunimi ynë është fantastik. Mendoj se nuk mund të gjenim një partner më të madh për rajonin; ata e njohin Shqipërinë, janë te apasionuar dhe të angazhuar për zhvillimin e këtij sektori dhe e fundit ata janë një sipërmarrje familjare si familja “Melia” prandaj ne mendojmë se çdo gjë është fantastike dhe sigurisht besojmë se ky është vetëm fillimi i diçkaje shumë speciale”.

 

“Melia Group” zotëron hotele nga Karaibet në Mesdhe dhe zëvendës presidentja beson se investimi në Shqipëri do të jetë një histori suksesi.

 

“Nëse mund të flas pak për “Melia”, “Melia” është prezent në 45 vende dhe kemi qenë pionier në destinacione si Mesdheu, Karaibet etj, prandaj mund të them se ne shohim potencialin e vendit dhe kemi zgjedhur Shqipërinë sepse në Shqipëri ndodhen të gjithë përbërësit për të pasur sukses. Ka njerëz të jashtëzakonshëm, ka gjithçka që mund të marrësh nga natyra, ka një pozicion të favorshëm, moti është fantastik prandaj ne besojmë se mund të jetë një xhevahir i pazbuluar më parë në Mesdhe”.

 

Një ditë më parë “Concord Investment” u bë kompania e parë e cila fitoi statusin e investitorit strategjik në turizëm. Qeveria vendosi ti japë këtë status, grupit “Concord” i cili po ndërton kompleksin më të madh turistik në Gjirin e Lalzit, “San Pietro Resort”. Vetëm hoteli me 5 yje ka një vlerë prej 36 milionë eurosh, ndërkohë që gjithë investimi arrin në 90 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *