Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, është shprehur se  shteti i tij nuk dëshiron që të ekzekutohet sulmuesi i El Pasos, që ka lënë të vdekur 22 persona dhe besohet se ka shënjestruar meksikanët.

 

Sulmuesi 21-vjeçar, Patrick Crusius, përballet me dënim me vdekje në Shtetet e Bashkuara. Ndër të tjera Obrador, ka theksuar se nuk dëshiron që ai të dënohet me vdekje, mirëpo do të kërkojë ekstradimin e tij në Meksikë.

 

“Kushtetuta jonë nuk lejon dënimin me vdekje. Nuk duam që ai të dënohet me vdekje. Dënimi me burgim të përjetshëm po ashtu nuk ekziston në Meksikë. Ne nuk duam mosndëshkueshmëri. Mirëpo ne kërkojmë që ndëshkimi të shërbejë si shembull që njerëzit të ndalojnë kryerjen e këtyre akteve. Këto akte të urrrejtjes ekstreme nuk janë të mira për Shtetet e Bashkuara dhe për asnjë vend”.

 

Crusius ka publikuar një dokument para se të kryente sulmin e 3 gushtit, duke u zotuar se do ta luftojë “pushtimin hispanik” në Shtetet e Bashkuara.

 

Sulmi ka ndodhur në kohën e tensionimit të marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *