Ish-deputetja Kejdi Mehmetaj deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të garojë e vetme në zgjedhjet e prillit. Gjatë një interviste në studion e “Vizion Plus”, Mehmetaj tha se koalicioni me partitë e tjera opozitare duhet të bëhet pas zgjedhjeve.

 

“Secila parti përtej mënyrës si do të jenë listat, do të bëjë fushatën e saj sepse secila ka personazhet e saj dhe idetë e platformat e saj. Secila parti ka veçoritë e saj. Ne jemi një parti konsiderueshëm e madhe që nuk pret për të tjerët për të hapur rrugën, por është ajo vetë që çan përpara. Ne kemi krijuar një strategji tonën. LSI duhet të dalë dhe të kërkojë votat si LSI tek qytetarët. Kjo nuk shmang një koalicion paszgjedhor.”

 

Sipas saj, qytetarët janë mjaft të revoltuar nga qeverisja e Edi Ramës dhe kërkon një frymë të re. Kejdi Mehmetaj premtoi se këtë frymë të re do ta sjellë LSI.

 

“LSI në të gjitha zgjedhjet ka treguar se është rritur në numër votuesish. LSI pa asnjë diskutim mandatet e saj i ka me votat e saj, jo prej votave të partive të tjera. Unë jam çdo ditë në terren dhe di t’ju them se veç pakënaqësisë ndaj qeverisë që është shumë e madhe, alarmante, nga ana tjetër duket se qytetarët duan të shohin një frymë të re. LSI në këto zgjedhje do të sjellë një frymë të re, qoftë për ekipin që do të futet në zgjedhje, por edhe për idetë.”

 

Ish-deputetja Mehmetaj shtoi se opozita nuk do të reshtë së denoncuari aferat dhe problemet e qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *