Mediat e huaja: Tërmeti në Shqipëri mund të kishte pasur pasoja edhe më fatale

Situata alarmante e krijuar pas tërmetit me magnitudë 6.3 mëngjesin e së martës, vijon të raportohet gjerësisht nga mediat ndërkombëtare .
BBC shkruan: “Tërmeti në Shqipëri: Lëkundje të reja ndërsa numri I viktimave rritet”. Gazetarët vërejnë se “pjesa më e madhe e vdekjeve janë regjistruar në qytetin bregdetar të Durrësit dhe në Thumanë, pranë epiqendrës së tërmetit. Qindra njerëz e kaluan natën në çadra, të tjerë në makina, ndërsa lëkundjet e tokës vazhdojnë ende”.
Një raportim më të detajuar dhe një vëmendje maksimale për gjendjen pas tërmetit është bërë nga mediat në vendet fqinjë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Itali.
“Corriere della Sera”, shkruan se “një tërmet me një madhësi të tillë mund të kishte shkaktuar treqind viktima. Nuk mund të thuhet se “shkoi mirë”, por situata mund të kishte qenë edhe më e rëndë”.
Ndërsa mediat greke thonë se “Shqipëria është në zi kombëtare. Ekipet e shpëtimit vijuan përpjekjet edhe gjatë gjithë natës për të shpëtuar të bllokuarit nën rrënoja, ndërsa të afërmit e të humburve thërrasin me shpresën se mund t’i gjejnë ende gjallë”.
E përditshmja greke SKAI.gr, madje raportoi momentin kur ekipet e shpëtimit nxorën nga rrënojat një të mbijetuar, ndërsa banorët duartrokasin punën e ekipeve të shpëtimit.




