Medalje bronzi për Shqipërinë në Europianin e Peshëngritjes

Shqipëria ka siguruar medaljen e parë në Kampionatin Europian të peshëngritjes për të rinj U-23, që po zhvillohet në Durrës.
Protagonist është Samuel Rrasa, i cili ka fituar medaljen e bronzit në stilin e shtytjes, në kategorinë deri në 65 kg.
Peshëngritësi zhvilloi një paraqitje të mirë, duke ngritur 125 kg në stilin e shkëputjes dhe duke u renditur i katërti. Në stilin e shtytjes, Rrasa realizoi një provë prej 153 kg, rezultat që i siguroi vendin e tretë dhe medaljen e bronzit.
Me 278 kg në total, sportisti shqiptar e mbylli garën në vendin e katërt në dygarësh, duke konfirmuar paraqitjen e tij pozitive në këtë kompeticion europian.
Kombëtarja shqiptare merr pjesë në këtë aktivitet me nëntë sportistë: gjashtë në kategorinë junior, dy vajza dhe katër djem, si dhe tre në kategorinë U-23, një vajzë dhe dy djem.
Vëmendja tashmë është përqendruar te garat e radhës, ku Shqipëria synon të shtojë numrin e medaljeve. Një nga emrat kryesorë është Enkeleda Carja, e cila do të garojë më 16 tetor në Baterinë A të kategorisë deri në 69 kg, me nisjen e garës në orën 13:00.
Pritshmëri për një rezultat të rëndësishëm ka edhe për Antonino Mullisin, i cili do të zbresë në pedanë në Baterinë A të kategorisë deri në 75 kg për junior, në orën 17:00.
Medalja e Samuel Rrasës shënon një nisje pozitive për përfaqësuesen kuqezi, që do të kërkojë të vijojë me rezultate të mira në ditët e mbetura të Kampionatit Europian në Durrës.




