Subscribe

Shkollat profesionale kanë nisur një fushatë komunikimi me gjimnazet e përgjithshme, duke prezantuar nga afër ofertën e tyre me qëllimin që nxënësit të njohin më mirë dobitë e arsimit profesional.

 

Dhe për ata që do të duan të transferohen në këto institucione, procedura do të jetë e hapur e pa burokraci deri në fund të muajit dhjetor.

 

Ekspertja e arsimit profesional, Ana Zaharian shprehet se në vitet e fundit janë shtuar mundësitë e praktikës në kompani ndërsa rritja e nevojës së tregut, garanton edhe punësimin e shpejtë e të mirëpaguar.

 

ANA ZACHARIAN

EKSPERTE E ARSIMIT PROFESIONAL

 

 “Ka një dëshirë më të madhe nga kompanitë, janë ato që po trokasin nëpër shkolla për të marrë praktikantë sepse i shohin si punonjës të tyre të ardhshëm. Nevoja për fuqi punëtore të kualifikuar i ka bërë edhe kompanitë që të kenë një ndjeshmëri dhe vëmendje më të lartë ndaj arsimit profesional.”

 

Por çfarë kërkon më shumë tregu aktualisht?

 

“Hoteleri-turizmi gjithmonë ofron vende pune, ka një uri për punonjës patjetër dhe teknologjia e informacionit. Edhe ndërtimi por duket se e ka zgjidhur në forma të tjera duke marrë punonjës nga vende të huaja.”

 

Sa i takon modeleve europiane në lidhje me rëndësinë e arsimit profesional, ekspertja veçon rastin e Gjermanisë dhe Zvicrës.

 

“Me vite ne kemi këtu programe dhe projekte shumë të mira, kemi nisma të cilat të paktën ka tre dekada që marrin mbështetje nga qeveria gjermane, zvicerane, italiane dhe Bashkimi Evropian. Gjithmonë ka patur programe në mbështetje të arsimit profesional, me qëllimin që të rritet pjesëmarrja sepse ka rezultuar shumë i dobishëm për familjen, nxënësin, shoqërinë. Kanë mundësi që të marrin një zanat dhe gjithashtu të vijojnë arsimin e mëtejshëm.”

 

Në vitin mësimor që lamë pas rreth 17 mijë nxënës në të gjithë vendin ndoqën arsimin profesional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *