Parlamenti dëgjoi sot institucionet e sistemit të drejtësisë dhe përfaqësuesit e qeverisë për problematikën e sigurisë në gjykatat e vendit, çështje e cila u vendos në plan të parë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, një vit më parë.
Para Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, deklaroi se policia duhet të rikthehet në gjykata, por për të garantuar sigurinë duhen godina të reja, mbështetje financiare dhe ndërhyrje ligjore.
“Duhen forca të dedikuara, nuk po them forca të armatosura, por forca policore të dedikuara apo punonjës të trajnuar për këtë qëllim. Ka gjykata në të cilat edhe nëse ju na jepni një portë dedektori apo një skaner bagazhësh sikur u kontrolluam ne në hyrje të parlamentit; nuk ke ku e vendos atë”, tha Ilir Rusi, kryetar i KLGJ.
Zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, sqaroi se në 3 vitet e fundit ka pasur 23 incidente kur është kërkuar ndërhyrja e forcave të policisë në gjykata.
“Ne jemi të hapur nëse KLGJ kërkon që të ndryshoje diçka në menyrën e organizimit të përgjithshëm jemi të hapur për të bashkëvepruar”, u shpreh Xhemal Qefalia.
Në fund të mbledhjes së komisionit, kryetari Fatmir Xhafaj sqaroi se i gjithë procesi i vizitave në gjykata, prokurori apo në disa institucione të tjera, së bashku me seancat dëgjimore, është ndërmarrë pas kërkesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor që Parlamenti të ndërhyjë për të garantuar sigurinë në gjykatat e vendit.
Xhafaj shpjegoi se vendimet janë marrë me konsensus dhe kalendari i punës është përcaktuar me konsensus. Edhe pse nuk e përmendi SPAK-un dhe refuzimin e Prokurorisë së Posaçme që deputetët të zhvillonin një vizitë në këtë institucion, Xhafaj sqaroi se këto takime nuk synojnë të ndërhyjnë në punën e institucioneve të pavarura.
“Shqipëria është Republikë Parlamentare. Kushtetuta I ka përcaktuar një rol të vecantë Kuvendit dhe deputetëve si përfaqësues të popullit. Kuvendi në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të ligjvënies dhe kontrollit palrlamentar shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional, ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit ndërinstitucional. Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrësesi funksionin kushtetues të mbikqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre, ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës apo vlerësues mbi cëshje konkrete të cfarëdolloj natyre qofshin ato”, deklaroi Fatmir Xhafaj.
Xhafaj solli në vëmendje se vendimet janë marrë me konsensus në komision dhe se vizitat monitoruese janë praktikë që Parlamenti e ka ndjekur prej shumë kohësh, edhe gjatë legjislaturës së kaluar. /vizionplus.tv





