“Më goditën me shkop gome dhe më morën telefonin”, studenti rrëfen në “Takohemi n’Vizion” çfarë përjetoi pas arrestimit

“Më gjuajtën me shkop gome dhe ushtruan dhunë psikologjike ndaj meje për të hapur telefonin.” Kështu shprehet studenti Endrit Myrta, një nga të rinjtë që ka marrë pjesë thuajse çdo ditë në protestat e zhvilluara në Tiranë.
I ftuar në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion”, Myrta rrëfen arsyet që e shtynë të dilte në rrugë, pakënaqësitë që e kanë çuar drejt protestës, si dhe përvojën e tij pas arrestimit.
Ai ndalet te vështirësitë ekonomike me të cilat përballen të rinjtë, pagat e ulëta dhe kostot e larta të jetesës, ndërsa tregon edhe për momentet e shoqërimit nga policia.
Studenti pretendon se është dhunuar fizikisht dhe se telefoni i është marrë e kontrolluar pa pëlqimin e tij.
Pjesë nga intervista:
Pse e ndjeve që duhej të dilje në protestë? Çfarë të shtyu?
Myrta: A ka arsye për të mos dalë, duke nisur nga paga? Një i ri nuk merr më shumë se 500 ose 600 mijë lekë. Dhe me qiratë e larta që kemi, një i ri nuk ia del dot. Kjo është një nga arsyet. Sistemi shëndetësor është në kolaps. Tarifat e fakultetit, dhe shumë të tjera.
Përgjatë këtyre ditëve, çfarë ke përjetuar? Pse u arrestove dhe si ishte ai moment?
Myrta: Unë kam dalë thuajse çdo ditë në protestë. E gjithë protesta ka nisur për projektin në Zvërnec. Te protesta e studentëve, ishte dhe është e thirrur nga studentët. E mbajtëm paqësore dhe s’na dëgjuan. Patëm heshtje institucionale. Kur kaluam te përshkallëzimi, po marrim të njëjtën gjë, madje mos më shumë mbrapsht. Policia po ushtron dhunë. Policia ka qenë e para që e ka hapur. Unë s’kam prishur as pronë publike, por as private. Distancohem nga dhuna.
Arrestimi im ndodhi krejt rastësisht. Rrugicat kanë qenë të mbushura me civilë gjatë gjithë kohës. Ka qenë ora 10 e darkës dhe më kanë arrestuar. Isha me maskë. Unë po kthehesha nga protesta bashkë me një shok dhe një shoqe. Kishim civilë rrugës dhe na spiunuan kur u fshehëm. Na shoqëruan të treve. Është e jashtëligjshme që shoqëruan dy efektivë një vajzë. Policia më ka goditur dy herë me shkop gome në pjesën e kofshës. Kjo gjë është përsëritur te të gjithë protestuesit. Polici nuk kishte një numër identifikimi.
Më mbajtën rreth dy orë e gjysmë. Më bënë presion psikologjik që të hapja telefonin. Unë s’e hapa. Por ma morën telefonin në mënyrë të paligjshme dhe e hapën. Çdo shoqërim është një certifikatë nderi që ne po marrim, sepse po protestojmë kundër një sistemi të tillë.
/vizionplus.tv




