Ekspertja e IT, Denisa Kele, e ftuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus tha se mbyllja e Tik Tok-ut nuk zgjidh plagët në vendin tonë.
Kele u shpreh se Shqipëria është vendi i parë në Evropë që shquhet për gjuhë urrejtjeje, çka përcillet dhe tek fëmijët.
Kele: Unë përherë bëj thirrje që duhet edukuar një popullatë e tërë. Duke ditur gjithë avantazhet që sjell teknologjia, je në mëdyshje për të mos ua prezantuar fëmijëve. Ka platforma të pafundme që mund të kontrollojnë përmbajtjen për fëmijët.
TikToku funksionon me algoritme. Atë që shikon një person pranë teje, në mënyrë algoritmike, mund ta shohësh edhe ti. TikToku është hallka e fundit e këtij problemi. Shoqëria shqiptare në TikTok reflekton atë që është. Shqipëria është vendi i parë në Evropë që shquhet për gjuhë urrejtjeje.
Problemi lind nga ne. Gjithë ky mllef që kemi, ua përcjellim fëmijëve tanë. Ky brez është një brez që nuk kënaqet me asgjë. Kjo është një problematikë që duhet zgjidhur duke kuptuar nga buron: pse jemi të frustruar, pse kemi kaq shumë mllef?
Unë mendoj që mbyllja e TikTokut nuk e zgjidh këtë plagë.





