Ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se koordinatorët e çdo shkolle raportojnë çdo ditë bilancin se sa mësues dhe nxënës janë të infektuar, të dyshuar dhe të karantinuar.

 

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, Kushi tregoi rastin e një shkolle në Kavajë, ku mësimi po zhvillohet përkohësisht online, për shkak të numrit të lartë të mësuesve të konfirmuar me COVID.

 

“E rëndësishme është që mësimi po zhvillohet në të gjitha shkollat, kemi vetëm rastin e një shkolle në Kavajë që për shkak të numrit të madh të mësuesve të dyshuar dhe të diagnostikuar ka kaluar përkohësisht online sepse ka qenë pak e vështirë të bëhet zëvëndësimi i menjëhershëm i tyre, po përtej këtij rasti të gjitha shkollat janë të hapura, të gjitha klasat janë të hapura, dhe masat dhe zëvëndësimii mësuesve është i menjëhershëm. Natyrisht dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe njësitë vendore të kujdesit shëndëtësor, kujdesi për mësuesit dhe nxënësit është i menjëhershëm në mënyrë që rastet e para që dyshohen nga koordinatorët apo personat që janë të ngarkuar në çdo shkollë për të konstatuar dhe informuar në lidhje me këtë gjë, reagimi i këtyre institucioneve ka qënë i menjëhershëm që për çdo rast të bëhet tamponi dhe të mbahet në vëmendje.”

 

Kushi përmendi edhe vendimin e Këshillit të Ministrave për futjen në sistem të 1 mijë mësuesve shtesë, në mënyrë që të zëvëndësojmë çdo rast mësuesi të diagnostikuar apo karantinuar për shkak të virusit.

E pyetur nëse këta mësues janë të trajnuar, ministrja qartësoi se ata janë të portalit mësues për Shqipërinë, të licensuar në sistem.

 

“Duhet të theksoj faktin që nga 1176 shkolla që kemi mbi 1100 shkolla e bëjnë mësimin me një turn sepse krijohet përshtypja sikur në të gjitha shkollat mësimi bëhët me turne gati 68% e nxënësve dhe mësuesve bëjnë mësim vëtëm me një turn.”

 

Me katër turne funksionojnë ato shkolla që presin edhe nxënësit nga shkollat e dëmtuara prej tërmetit, e që janë në proces rindërtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *