Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, pas 14 muajsh punë, përfundoi mandatin e tij, duke shtruar rrugën se ku duhet të ecë Parlamenti në legjislaturën e ardhshme dhe cilat ligje duhet të ndryshojë për të përmbushur detyrimet që lidhen me procesin e integrimit.
Komisioni, i njohur më së shumti me emrin e kryetarit të tij, komisioni Xhafaj, skanoi 3 komponentët kryesorë të shtetit: mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit, duke propozuar miratimin e 78 nismave ligjore.
“Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës, por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë 2030 në BE.”,tha Fatmir Xhafaj Kryetar i Komisionit të Posaçëm.
Në fund të mandatit të komisionit, Xhafaj iu kundërpërgjigj të gjithë kritikëve të cilët përgjatë këtyre muajve kanë deklaruar se komisioni do të përdorej për të kufizuar kompetencat e institucioneve të drejtësisë, e në mënyrë të veçantë të SPAK-ut.
“Këto interpretimet e superkomisionit, që do kapte drejtësinë, do kapte SPAK-un, ma bëni me dije pas 14 muajve punë të Komisionit, ku gjendet në një faqe të dokumentit dhe punës?”
Xhafaj ka sqaruar se detyra e komisionit ishte edhe analiza e sistemit të drejtësisë, e cila u shty për shkak të betejës elektorale, dhe do të jetë pjesë e punës së Parlamentit në sesionin e vjeshtës.
“Ka një sërë angazhimesh të tyre në kuadrin e negociatave që janë të papërmbushura, që nëse nuk përmbushen, vendi rrezikon të mos e marrë notën kaluese. A e dini ju që në 5 vjet Këshillat nuk kanë bërë një cikël të vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve?”
Kryetari i Komisionit të Posaçëm shpjegoi edhe marrëdhënien me institucionet e drejtësisë, duke sjellë në vëmendje se janë këto institucione që vetë kanë kërkuar 150 ndryshime ligjore në korpusin e ligjeve të reformës në drejtësi.
“Kanë kërkuar ata ndryshime kushtetuese, dhe ata nuk kanë kurajon të thonë: ‘Na falni, jemi ne që i kemi kërkuar Kuvendit ndryshime kushtetuese, jo Kuvendi na ka kërkuar ne.’ Dhe ne prapë jemi treguar tolerantë, sepse është shumë i rëndësishëm lojaliteti në raportin mes institucioneve.”
Komisioni i njohur me emrin “Xhafaj” funksionoi për 14 muaj vetëm me anëtarët e PS-së, pasi opozita refuzoi që në krye të herës të bëhej pjesë e tij. Tani i takon Parlamentit të ri të vendosë se çfarë do të bëjë me punën e realizuar nga ky komision dhe është ende e paqartë nëse ai do të nisë një mandat të ri në muajin shtator, nëse detyrën e hartimit të ligjeve do ta marrë një prej komisioneve aktuale, apo do të ngrihet një nënkomision i posaçëm që do të ndjekë rrugën e reformave.
/vizionplus.tv





