Këtë të mërkurë ka përfunduar faza e regjistrimeve në universitete e të gjithë maturantëve që kanë rezultuar fitues në raundin e parë. Nga të dhënat rezulton se janë regjistruar mbi 15 mijë të rinj në fakultete të ndryshme. Mjekësia është një ndër degët më të kërkuara, kuotat e të cilës janë plotësuar.

ARJAN XHELAJ

RRJETI AKADEMIK SHQIPTAR

“Kemi një ecuri shumë të mirë të regjistrimeve në fazën e parë. Mjekësia është ezauruar, por edhe Stomatologjia. Kemi regjistrime në degën e Inxhinierisë dhe atë të Teknologjisë së Informacionit, edhe ato janë plotësuar mbi 90 %. Ka një ecuri të mirë Juridiku në Tiranë, po ashtu Ekonomiku në Tiranë, regjistrimet kanë ecur mbi masën 90%”

Edhe në universitetin Fan Noli të Korçës janë regjistruar deri më tani 500 maturantë në të gjitha programet e studimit. Më pak studentë parashikohet të ketë fakulteti i edukimit dhe histori- filologjisë.

DHIMITËR BELLO

REKTOR I UNIVERSITETIT “FAN NOLI” KORÇE

“Janë regjistruar 500 studentë në të gjitha programet e studimit. Fakultetet më të preferuara kanë qenë ai ekonomik në pjesën më të madhe të programeve si dhe fakulteti i shkencave natyrore e humane, ku në veçanti studentët kanë pasur interes për degën e infermierisë, aty ku janë regjistruar edhe kuotat më të larta të regjistrimeve. Kjo edhe për shkak se studentët janë orientuar drejt tregut të punës. Nga ana tjetër një nga fakultetet me më pak regjistrime në përfundim të fazës së parë rezulton të jetë fakulteti i edukimit dhe filologjisë. E gjithë kjo vjen për shkak të mesatares së lartë që kërkohet për pranimin e studentëve në programet e këtij fakulteti. ”

 Ndërkaq në Durrës afro 80 përqind e maturantëve kanë përfunduar procesin e regjistrimit.

KSEANELA SOTIROFSKI

REKTORE UAMD

“Deri tani regjistrimet kanë ecur shumë mirë, pasi afro 80 përqind e maturantëve kanë përfunduar procesin e regjistrimit.”

 Në lidhje me preferencat rezulton që degët më të kërkuara në këtë universitet janë ato të administrim biznes e financë,  infermieri si dhe teknologji informacioni.

Ndërsa  në Universitetin Ismail Qemali të Vlorës  është plotësuar 41 përqind e kuotave të përcaktuara.

ALBERTA BRESHANAJ

DREJTORE E EDUKIMIT BACHELOR DHE MASTER

“Në Universitetin Ismail Qemali të Vlorës  është plotësuar në këtë raund  41 përqind e kuotave të përcaktuara. Shëndeti publik vijon të jetë preference e ish maturanteve teksa kuotat në këtë raund janë plotësuar në masën 99 % që në këtë fazë të parë.”

Degët Kimi dhe gjuhë italiane edhe këtë vit rrezikojnë mbylljen në Vlorë, ndërsa në degën e matematikës vetëm 3 është numri i të regjistruarve në këtë fazë.

Më 19 deri më 21 shtator, të gjithë maturantët të cilët nuk u regjistruan apo nuk fituan asnjë degë gjatë fazës së parë, do të mund të kryejnë aplikimet për 10 preferenca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *