Mbledhja në Velipojë, Mesi jep detaje nga takimi
Deputetja Senida Mesi ka dhënë detaje nga takimi që kryeministri Rama zhvilloi në Velipojë me Këshillin Koordinues të veriut.
Në një deklaratë për mediat, Mesi tha se në mbledhje u diskutua në lidhje me problematikat dhe vendimmarrjet e rëndësishme duke filluar nga ato të kryebashkiakëve,
“Ishte mbledhje rutinë nën lidershipin e kryeministrit që është njëkohësisht edhe kryetar i Komunitetit drejtues për veriun. U diskutuan problematikat dhe vendimmarrjet e rëndësishme duke filluar nga kryetarët e bashkive. Vlerësimi i përformancës, vlerësimi i buxhetit, vlerësimi i shërbimeve qe janë formuar apo duhet të ofrohen në bashkitë tashmë rishtazi të krijuar, sigurisht me përjashtimin e bashkisë së Shkodrës.”
E pyetur nga gazetarët në lidhje me ngërçin e krijuar në Bashkinë e Shkodrës dhe nëse do e marrë ajo postin e kryebashkiakes, Mesi e mohoi kategorikisht këtë gjë duke theksuar se një temë e tillë nuk është prekur fare në mbledhjen e Këshillit Koordinues të veriut.
“Në këtë mbledhje nuk është diskutuar as ngërçi dhe as problematika në lidhje me kryetarin e bashkisë Shkodër. Bëhet fjalë për disa qarqe si Lezha, Kukësi, Dibra, të cilët diskutojnë disa problematika. U diskutua edhe elementi i dytë, që është elementi i organizmit të PS, që të jemi sa më pranë komuniteteve, që të zgjerojmë partinë me persona që duan të aderojnë në parti.”




