Mbledhja e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, Peleshi dhe Balla: Anëtarësimi në BE prioritet! Ambasadorja: Reformat duhet të vazhdojnë

Në Tiranë u zhvillua takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, reformat e kërkuara dhe roli i Kuvendit në këtë proces.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë dhe se vendi tashmë ndodhet në një fazë përcaktuese të negociatave.
“Busulla e Shqipërisë mbetet e pandryshueshme. Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik kombëtar, destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon dhe prioriteti numër një i Kuvendit. Tashmë kemi hyrë në një fazë përcaktuese të procesit të negociatave ku fokusi po vendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre efektiv dhe i matshëm. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është prioriteti i prioriteteve tona. Po punojmë për të garantuar dhe jetësuar procesin demokratik të procesit të integrimit. Të gjithë jemi dakord se për Shqipërinë dielli lind nga Perëndimi”, tha Peleshi.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, theksoi se për mbylljen e negociatave nevojitet progres në të gjitha reformat, ndërsa kërkoi që procesi të mos ketë kthim pas.
“Për të arritur mbylljen e negociatave, progresi i negociatave kërkon progres në të gjitha reformat që kërkon BE. Duhet të mos kemi kthim mbrapa. Puna për konsolidimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojë duke u fokusuar te drejtësia dhe duke siguruar të gjitha standardet që duhet të ketë sistemi i drejtësisë. Rezultatet duhet të jenë të pakthyeshme. Shqipëria ka bërë hapa përpara për të drejtat e njeriut, por vihet në dukje se përpjekja për të ruajtur ritmin e reformave duhet të vazhdojë. Shpejtësia nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen e parlamentit dhe bërjen publike të ligjeve. Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohen. Legjislacioni s’duhet të jetë vetëm teknikisht i saktë, por në përputhje me nevojat e qytetarëve. Duhet të kemi një qasje që të përfshijë gjithë shoqërinë dhe këto reforma bëhen më të realizueshme. Parlamenti ka një rol kyç për ta realizuar një gjë të tillë. Një parlament transparent është një shtyllë e rëndësishme e një demokracie të shëndoshë”, tha ambasadorja.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se objektivi i mazhorancës është përfundimi i negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030.
“Ambicia jonë është e qartë: të përfundojmë negociatat brenda Krishtlindjeve 2027 me synimin e anëtarësimit të plotë brenda 2030. Kjo nuk është thjesht ambicie e lidhur me një afat kohor, por e lidhur me rezultate pune. Kuvendi duhet të jetë vendi ku kontrollohet cilësia e legjislacionit, zbatimi i tij dhe përfshihen qytetarët, biznesi dhe grupet e interesit. Integrimi në BE është proces kombëtar dhe Kuvendi duhet të jetë garant kryesor”, tha Balla.




