Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht edhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin Ekonomik deklaroi sot se qeveria do të vijojë mbështetjen e pensionistëve, dhe grupeve të tjera me karakter social apo zhvillimi, ku përmendi fermerët dhe peshkatarët.

 

Sipas Ahmetaj, Shqipëria ka sot nivelin më të ulët të inflacionit në rajon dhe më gjerë dhe kjo falë impaktit të dhënë nga paketat e mbështetjes së dhënë nga qeveria.

 

“Shqipëria e ka inflacionin 6.2 % që është niveli më i ulët në rajon. Kjo pikërisht nga impakti i paketave të dhëna nga qeveria përmes mbështetjes me të ardhurave apo subvencionimit të energjisë”, tha Ahmetaj në deklaratën e tij pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

 

Sipas tij, diskutimi ynë është si të sigurohen rrugët e furnizimit pas invazionit rus në Ukrainë. Zv/kryeministri po ashtu bëri të ditur se i gjithë kabineti qeveritar po punon për hartimin e politikave dhe instrumenteve për përballimin e krizës së shkaktuar dhe frenimin e rritjes abuzive të çmimeve.

 

“Në këtë fazë ku kriza ndërkombëtare e energjisë dhe invazionit rus në Ukrainë preson tregun, do të ketë konsekuenca. Kësaj krize nuk i dihet fundi dhe qeveria është e përgatitur dhe ka marrë masat e duhura”, tha Ahmetaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *