Pesë deputetë të Partisë Demokratike kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Këshillit për mandatin e deputetes së PS Olta Xhaçka.

 

Dokumenti është firmosur nga deputetët Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Ervin Salianji, Greta Bardeli dhe Saimir Korreshi, të cilët më pas e kanë dorëzuar në kryesinë e Kuvendit.

 

Në kërkesën e protokolluar, grupi i PD kërkon thirrjen e mbledhjes ditën e nesërme, 14 shtator, në orën 13:00, me rend dite: “Vijimin e shqyrtimit të mocionit të 1/10 së deputetëve të grupit parlamentar të PD për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”

 

 

14 deputetë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend më 20 qershor 2022,  kërkesën për heqjen e mandatit të ministres Olta Xhaçka.

 

Disa nga deputetët e PD-së kërkuan ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme.

 

Kujtojmë se kjo lëvizje vjen pasi bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi fitoi statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një resorti në jug të vendit.

 

Demokratët në pretendimin e tyre argumentojnë se ai është favorizuar nga bashkëshortja e tij dhe se do të ndërtojë në tokë shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.