Natyra rilind aty ku kujdesi për të bëhet prioritet. Në Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa po merr jetë një projekt i ri për gjelbërimin e zonës. Në një sipërfaqe prej tre hektarësh, janë mbjellë 7.500 fidanë autoktonë për të rigjallëruar ekosistemin dhe për të krijuar një pyll natyror.
“Llojet e përzgjedhura janë autoktone të kësaj zone, ndërsa mënyra e mbjelljes është e shthurur për të dhënë idenë e një pylli natyror. Bëhet fjalë për vërriun, shelgun, plepin e bardhë dhe rrapin. Projekti do të vijojë për tre vjet, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe zëvendësimin e fidanëve në rast nevoje, si dhe rrethimin simbolik për të mbrojtur zonën nga aktivitetet e dëmshme”, Nexhip Hysolakoj, administrata rajonale e zonave të mbrojtura, Vlorë.
Projekti, me vlerë 6.5 milionë lekë i financuar nga Bashkimi Europian, është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe përafrimin me standardet mjedisore të BE.
“Një nga objektivat kryesore të zyrës tonë është që të ruhet sistemi riparian të brigjeve të Vjosës që është zona jeshile përgjatë lumit. Shumë ndërhyrje janë bërë deri tanui, por nuk kanë qenë të mirëstrukturruara. Është një projekt pilot,. Është i pari i kësaj natyre dhe do të na shërbejë edhe ne si zyrë për të mësuar dhe për ta përdorur edhe në zona të tjera përgjatë parkut.” Eduina Guga, drejtuese e zyrës së administrimit të parkut kombëtar “lumi Vjosa”.
ERMELA TOÇI – PËRFAQËSUESE E PROJEKTIT “EU4RIVERS”
“Vjosa përballet çdo ditë me presione. Presionet që mund të përmend lidhen me shkarkimet e ujërave urbane, me ndotje nga bujqësia si përdorimet e pakontrolluara të pesticideve, ndërhyrjet që kanë ndodhur vazhdimisht në shtratin e lumit.” Ermela Toçi, përfaqësuese e projektit “EU4Rivers”
Për banorët e zonës, çdo pemë e mbjellë është një premtim për ajër të pastër dhe për rikthimin e natyrës.
“Kjo zonë ka qenë e zhvilluar dikur, por erdhi puna dhe u shkatërrua. Ne na dhimbset pasuria, na dhimbset se ka qenë djersa jonë, e dogjën. Tani gëzohemi që erdhën për ta bërë këtë pyll siç ishte. Ne duam të rikthehet siç ishte, të pastrohet ajri. Duhet të ruhet, keqbërës ka plot, ka që nuk duan të bëhet, por duhet të ruhet.”, Fatmir Saliaj, banor i zonës.
“Të zgjerohet edhe më shumë. Janë sipërfaqe të tëra, të pambjella sepse synimet janë për grabitje. Duhet të ruhet me fanatizëm më të madh. ka pasur rrap, plep, çfarë s’ka pasur, edhe lajthi ka pasur.”, Hasan Pashai, banor i zonës
Projektet “EU4Nature” dhe “EU4Rivers” me një vlerë prej afro 16 milionë eurosh, mbështesin Shqipërinë në përmirësimin e menaxhimin të burimeve natyrore dhe forcimin e mbrojtjes së biodiversitetit.
/vizionplus.tv





